Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se qeverisja e tij ka qenë një ndër më efikaset në historinë ekonomike të vendit, duke theksuar se gjatë dy mandateve të tij të ardhurat u dyfishuan, pavarësisht uljes së ndjeshme të taksave.
Në konferencën me gazetarët, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale për dështimin në menaxhimin ekonomik dhe theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kthesë rrënjësore, duke filluar me uljen e barrës fiskale dhe kthimin e fondeve te qytetarët.
Ai shtoi se plani i opozitës për rimëkëmbje ekonomike përfshin rritjen e pagave e pensioneve, frymëmarrje për biznesin dhe një politikë të fortë demografike për të ndalur zbrazjen e vendit.
“Pyetje e drejtë.
Në qoftë se kjo platformë do ishte zbatuar vite më parë, Shqipëria sot do ishte absolutisht një Shqipëri tjetër nga ajo e vitit 2013.
Por, kemi një fjalë ne, e keqja nuk ka fund.
Me këtë fjalë dua të them që ne duhet të ndalojmë me çdo kusht këtë të keqe dhe të ndahemi me të keqe.
Së dyti, me ndarjen nga kjo e keqe, ne kemi bindje absolute se do shënojmë një kthesë rrënjësore.
Ku e bazojmë? Në realitetin që kemi. Ne kemi një buxhet 8 miliardë euro.
Ne do e zbresim buxhetin, nuk shkojmë 8 miliardë euro. Do ua lëmë bizneseve, do ua lëmë qytetarëve, do ulim taksat.
Por me ato që mbeten, supozojmë se mbeten 6 miliardë apo 5 miliardë, akti i parë, t’u kthejmë paratë që u kemi marrë qytetarëve.
Paratë qytetarëve u kthehen me paketën e dhembshurisë, me rritjen e pagave dhe pensioneve.
Këtë e bën çdo qeveri e përgjegjshme në botë.
Çdo qeveri!
Vonë është, por efekti do jetë i menjëhershëm.
Së dyti, biznesi. Ju e patë çfarë ulje të madhe që i bëjmë barrës fiskale. Frymëmarrje më e madhe, çmime më të arsyeshme, mundësi punësimi më shumë, mundësi për të paguar punëtorët më mirë.
Pra janë të gjitha këto masa konkrete që bëjnë plotësisht të besueshme kthesën.
Unë nuk them se Shqipëria demografikisht do shërohet për 4 vite.
Por për 4 vite ne do bëjmë gjithçka që numri i qytetarëve në Shqipëri të fillojë të rritet se ne kemi rënë sot, jemi në treguesit demografikë të vitit 1960. I bie 65 vite humbje, kthim prapa. Nuk kompensohen për 4 vite, duhet një politikë shumë e fortë demografike të arrijë kompensimin…
…Këtu ne jemi në një fushë jo të panjohur, por të njohur fare.
Në vitin 2005, ne erdhëm në pushtet dhe vendosëm për herë të parë në Europë taksën e sheshtë.
Të gjithë na panë me mosbesim të madh, me skeptizicëm, me xhelozi, por edhe me lakmi. Por përgjegjësinë e keni vetë, na thanë. Ne nuk u mbështesim. Po pësuat probleme nga kjo, kolaps, jeni përgjegjës ju. Po, u thamë, ne jemi përgjegjës.
Çfarë ndodhi? Pas 6 muajsh, ne atë vit patëm një shtim prej 300 milionë eurosh në buxhet, jashtë parashikimit. Dhe ata e panë. Fondi që është një aleat shumë i mirë, e pa se eksperimenti ynë ishte një sukses.
Dhe ne u thamë, tani ne prapë do të vazhdojmë. Këtë 300 milionë do ia ulim taksa të tjera biznesit. Dha ia ulëm. Dhe prapë taksat u shtuan.
Gënjen. Po t’i thuash Edi Ramës gënjeshtar, nuk thua gjë të re.
Të ardhurat e vërteta, reale, në dy mandatet tona u dyfishuan.
Të ardhurat megjithëse dyfishuan taksat, në 3 mandate, në 12 vitet e tyre, ende nuk janë dyfishuar plotësisht. Pra edhe me dyfishimin e taksave, që në qoftë se ti mblidhje me korrektesë, duhet të dyfishoheshin që në mandatin e parë.
Por ai jep shifrave, se çfarë bën ai… se është i pakët edhe nga ana e njohurive, ai merr euron që kushtonte në atë kohë 138 lekë me euro që kushton sot 98 lekë dhe bën spekulime me kurset. Por nuk ke se çfarë i bën, nuk heq dorë”, u shpreh Berisha.