Berisha-Ramës: Pse nuk ra në humnerë Mali i Zi që i trefishoi pensionet? Sot çdo pensionist duhej të paguhej të paktën 390 mijë lekë

Nga Puka në prezantimin e kandidatëve, kryetari i PD, Sali Berisha tha se, 11 Maji është dita e vërtetë e çdo shqiptari, është ora, prova e tij, para së gjithash dhe mbi të gjitha, e dashurisë për një vend që po shpërbëhet.

Për Berishën, 11 Maji është një ditë për një kthesë vendimtare për shqiptarët që ëndrrat dhe të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.

“Të dashur miq, unë sjell këtu në Pukë mesazhin e fitores.

Sjell tek ju optimizmin, besimin, vendosmërinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie për një fitore historike më 11 maj.

Fitore me të cilën qytetarët shqiptarë ndahen nga një e keqe e madhe, që i kaploi ata në këto 12 vite, duke bërë që Shqipëria të jetë i vetmi vend në Europë, ku të rikthehet një diktaturë e re, tashmë jo një diktaturë e bazuar në ideologjinë marksiste, por një diktaturë e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

11 Maji është dita e vërtetë e çdo shqiptari, është ora e tij, është prova e tij, para së gjithash dhe mbi të gjitha e dashurisë për këtë vend që po shpërbëhet.

Sot Puka, një vend me pasuri përrallore, mbitokësore dhe nëntokësore, një vend plot ujëra, minerale, pyje, bimë mjekësore dhe çdo gjë, braktiset çdo ditë dhe u braktis këto 12 vite sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Sa asnjë pushtim, sa asnjë diktaturë tjetër.

Si Puka, e gjithë Shqipëria.

Në 10 vite, nga viti 2014 deri në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë shqiptarë.

Pra, në qoftë se ky vend ka një zë, në qoftë se një tokë ka një klithmë, ky zë dhe klithmë anembanë tij ushton, më shpëtoni, po mbetem në shkretëtirë.

Imagjinoni ju se ç’do ndodhë me shqiptarët në 4 vite katastrofe të re. Kurrë shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë.

11 Maji është një ditë për një kthesë vendimtare për shqiptarët që ëndrrat e tyre t’i vendosin në Shqipëri.

Është një ditë për një kthesë vendimtare që këta të rinj, ëndrrën e tyre shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri.

Është një ditë për mbarë kombin që miliona shqiptarë që u larguan nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve, të rikthehen, të vijnë për të ndërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre dhe për të vendosur Shqipërinë në rrugën e madhështisë së saj.

Miqtë e mi, 11 Maji është një fitore jo vetëm e opozitës, e koalicionit për Shqipërinë Madhështore, por është një fitore për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit, dinjitet.

Është fitore për çdo shqiptar që nuk do të qajë çdo ditë me lot të ftohta mjerimi nga skamja e madhe ku e ka zhytur vjedhja e qeveritarëve.

Është një fitore për çdo demokrat, socialist, të paparti që beson se në këtë vend mund të jetohet me dinjitet. Se pasuritë e këtij vendi mund të begatojnë qytetarët e Pukës dhe mbarë Shqipërisë.

Miqtë e mi, këto 12 vite ishin vitet e një rrokullisje shumë të rëndë, shumë të pamerituar.

Në vitin 2013, pukjanët, shqiptarët nuk kishin rroga të larta, por ama i kishin më të larta se 6 kombet e tjera të rajonit. I kishin më të larta edhe se rumunët dhe bullgarët.

Në këto 10 vite, ata na tejkaluan ne 3 herë me pensione dhe na tejkaluan rreth dy herë me rroga.

Por jo vetëm kaq se kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes së kësaj qeverisje.

Ana tjetër po kaq e zezë e kësaj medalje, se këta burra dhe gra, me këto pensione dhe rroga, më të ulëtat në rajon, duhet të shkoni në dyqane për të blerë mallra me çmimet më të shtrenjta.

Gjatë këtyre 10 viteve, çmimi i ushqimeve u dyfishua.

Dhe sot, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, pensionisti me 143 mijë lekë pension, duhej të kishte një pension 390 mijë lekë.

Pra duhej të kishte një pension minimumi 2 herë e gjysmë më të lartë.

Po kështu rrogëulëti.

Po kështu rrogëtari me rrogë të mesme.

Çfarë ndodhi? Si ne ramë në këtë mënyrë? Pse të tjerët na tejkaluan me pensione tre herë? Pse malazezi që merrte në vitin 2013, 138 mijë lekë pensionin, pra më të ulët se shqiptari, e merr sot 450 mijë lekë pensionin?

Pse maqedonasi që merrte në vitin 2013 një pension 130 mijë lekë, merr sot një pension 330 mijë lekë?

Pse serbi, që merrte në vitin 2013 një pension nën 140 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë pension?

Pse këto? Si ka mundësi?

Ka vetëm një arsye. Qeveritë e këtyre vendeve, paratë më së pari ua kthejnë atyre që ua marrin, ua kthejnë qytetarëe. Ua kthejnë me rroga, pensione, ndihmë ekonomike dhe shërbime.

Ftoj çdo socialist, çdo të paparti të na dëgjojë.

Kthehemi pak në Shqipëri. Çfarë ndodhi në janar të këtij viti kur në parlament erdhi buxheti prej 8 miliardë euro? Edi Rama, i zhytur me ministrat e tij në vjedhje dhe korrupsion të paimagjinueshëm, pati pashpirtësinë të ndajë nga 8 miliardë euro për 760 mijë gra e burra të thinjur, të moshuar, gjithsej  16 milionë.

Dhe kur ne, kërkuam të votohet ligji i minimumit jetik, kjo tha na çon në humnerë. Çfarë humnere mor i pashpirt?

Pse nuk ra në humnerë Mali i Zi që i trefishoi pensionet? Pse nuk ra në humnerë Maqedonia, Kosova apo Serbia? Pse nuk ramë ne në humnerë kur pensionet që ishin 36 mijë lekë, i bëmë 82 mijë lekë? Pse nuk ramë në humnerë ne kur pensionet mesatare i rritëm me 60 përqind dhe pensionet maksimale me 40 përqind?

Pse nuk ramë në humnerë ne kur dyfishuam rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve?”, u shpreh Berisha.

 

About Redaksia

Check Also

“Kapo”, pseudonimi i Ramës tek mafia/ Agasi 30.2 milionë euro në 9 muaj

Gazment BARDHI Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi …