Një thirrje për Shqipërinë Madhështore – për një ëndërr të përbashkët që bëhet realitet

Andi MUSTAFAJ
Nikola KEDHI 

Në momente të rëndësishme të historisë sonë kombëtare shqiptarët kanë treguar largpamësi të jashtëzakonshme për t’u bashkuar përtej ndasive, përtej frikës apo pasigurive, për të ndërtuar diçka që i tejkalon ata vetë.

Sot është një prej atyre momenteve! Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje që do të përcaktojë dekadat e ardhshme. Kambanat e historisë po bien, dhe shqiptarët janë gati të ngrihen në lartësinë që kërkon koha. Ne demokratët nuk ftojmë thjesht për të votuar, por për t’u bashkuar në një lëvizje, në një vizion, në një mision që ngjall shpresë dhe kërkon ndryshim të thellë.

Ne ftojmë njerëzit të bëhen pjesë e diçkaje më të madhe se ata, më të madhe se ne. Pjesë e një vizioni, e një ëndrre shqiptare që kërkon të bëhet realitet. Njerëzit kanë nevojë për një qëllim në jetë, për një arsye për të qëndruar, për të kontribuar, për të ndërtuar. Teksa qeveria aktuale kërkon të rikrijojë një njeri të ri, pa identitet, pa atdhe e pa familje, me një Shqipëri të zbrazur e pa të ardhme, qëllimi ynë sot është ta bëjmë Shqipërinë shtëpi sërish. Ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme! Të kthejmë shqiptarët te familjet e tyre.

Shpesh e flasim së bashku për arsyet që na motivojnë në këtë rrugëtim. Dhe arsyeja e angazhimit tonë, është e thjeshte: Sepse ne nuk duam të largohemi. Nuk duam të shikojmë Shqipërinë nga larg, me mall e dhimbje. Duam që çdo qytetar shqiptar të ketë mundësinë të jetojë këtu, me dinjitet, me mundësi, me një ndjenjë të thellë se i përket këtij vendi. Dhe këtë nuk mund ta arrijmë pa marrë përgjegjësinë që na takon: të jemi pjesë e ndryshimit.

Shqipëria që duam nuk vjen vetë. Ashtu si liria nuk erdhi vetë në ‘90-ën, ashtu si çdo përparim që kemi arritur ka kërkuar sakrificë, vizion dhe vendosmëri, edhe ndërtimi i një Shqipërie të jetueshme kërkon përfshirjen tonë. Të rinj dhe të reja, prindër, gjyshër, profesionistë e punëtorë – kjo është ora kur thirrja është për të gjithë.

Pas disa dekadash do themi: ishim ne ata që e bënë. Të gjithë ata që do të votojnë më 11 maj. Ashtu si studentët e Dhjetorit janë sot krenarë për lëvizjen studentore, apo të gjithë ata që u bënë pjesë e rrëzimit të sistemit, u bënë pjesë e diçkaje më të madhe se çdo njeri prej tyre veç e veç. Ata bënë histori. Sot është radha jonë.

Kjo ofertë e Partisë Demokratike nuk është thjesht një program. Dhe nuk është thjesht i PD-së. Është një vizion për një Shqipëri që është shtëpia jonë. Një plan i ndërtuar me kujdes, me dashuri për vendin, me përulësi para sakrificave të të parëve tanë dhe me përgjegjësi për brezat që vijnë. Në këtë vizion, dora është e shtrirë për çdo shqiptar—që të bëhet pjesë, të kontribuojë, të ketë vendin e tij.

Ky nuk është një program për të marrë pushtet. Është një mision për t’u kthyer qytetarëve fuqinë që u takon. Për të ndalur eksodin. Për të mbrojtur familjen shqiptare. Për të ndërtuar një ekonomi që prodhon, një arsim që përgatit, një shëndetësi që shëron, një drejtësi që funksionon.

Ne ofrojmë më shumë se politika. Ne ofrojmë një kthim te vlerat. Besim te Zoti, te familja, te puna, te ndershmëria dhe te dashuria për atdheun. Kjo është një lëvizje që ngrihet mbi parime, jo mbi interesa të vogla apo kalkulime të përkohshme. Sepse duam të ndërtojmë jo vetëm një shtet më të mirë, por një shoqëri më të mirë.

Të gjithë ata që më 11 maj do të votojnë për këtë vizion, do të jenë pjesë e një rrëfimi historik. Do të jenë ndër ata që, pas shumë vitesh, do të shikojnë pas me krenari dhe do të thonë: “Ishim ne që e nisëm ndryshimin. Ishim ne që i dhamë Shqipërisë një shans të dytë.” Ky është më shumë se një program. Është një thirrje për bashkim, një thirrje për të rindërtuar shtëpinë tonë të përbashkët – Shqipërinë. Të bashkohemi sot, për të pasur nesër një atdhe ku ia vlen të jetosh dhe të krijosh.

About Redaksia

Check Also

Rama i trembur nga hetimet dhe arrestimi/ Kërcënon hetuesit që i shkuan në zyrë

Rama i trembur nga arrestimi dhe nga hetuesit e BKH që i kanë shkuar në …