Kreu i PD, Sali Berisha, theksoi gjatë një deklarate për mediat se nuk do të lejojë që asnjë litër ujë të merret nga banorët e Tragjasit dhe Lumit të Vlorës pa miratimin e tyre të plotë.
Ai u shpreh se qeveria ka mundësitë për të siguruar ujë të mjaftueshëm për këto zona, pa prishur ekuilibrin dhe pa ndikuar në jetën e fshatrave të bregut të Vlorës.
“Garantoj ju banorëve të Tragjasit dhe të gjithë banorëve të Lumit të Vlorës se asnjë litër ujë nuk do mund tu merret, kurrë pa miratimin tuaj të plotë.
Së dyti, qeveria aktuale dhe ajo që vjen mbrapa, ka të gjitha mundësitë për të garantuar sasi kolosale uji pa i marrë Tragjasit, Dukatit, Kuçit, Gjormit apo të gjithë fshatrave asnjë litër ujë.
Janë mijëra e mijëra litra ujë të nëndheshëm që derdhen në det, të cilat kërkojnë vetëm tërheqjen e tyre me pompa gjer në depo të cilat mund ti dërgosh në çdo drejtim. Por e vërteta është se këto ujëra nuk janë vetëm në zonën e Vlorës, por dhe në zonën e Dhërmiut dhe bregut.
Kështu që qeveria para se të mendojë ti shndërrojë në shkretëtirë 35 fshatra të lumit të Vlorës që të ua heqë ujin që është jeta e tyre, të marrë pompat, ujin e ëmbël që është kudo, ka patur projekte, ka projekte të mëdha për transferimin e Italisë, ta transferojë një pjesë të tij drejt bregut shqiptar, pa shqetësuar ju.
Kështu asnjë shqetësim të mos keni, asnjë votë mos jepni për ata që duan të grabisin ujin, ju siguroj se uji do të mbetet i juaji, i paprekshëm”, tha Berisha.