Kryetari i PD, Sali Berisha, në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se, Edi Rama po refuzon të përballet në debat publik me të, duke i shmangur përballjet direkte për të diskutuar për programet dhe sfidat që shqetësojnë qytetarët shqiptarë.
Berisha theksoi se, refuzimi i Ramës për debat është një përpjekje për të fshehur veprimet dhe vendimet e tij nga publiku, duke nënvizuar se kjo është një praktikë e rrezikshme që rrezikon të çojë në një sistem autokratik.
“Keni shtruar një çështje shumë madhore. Censura dhe hapat drejt saj, janë hapa drejt diktaturës. Autokratët nuk durojnë dot kritikat, bëjmë gjithçka për të fshehur vendimet dhe veprimet e tyre.
U garantoj se data 11 maj, i jep përgjigjen më përfundimtare dhe më të mirë kësaj praktike të ekstremit të majtë, por në që në fakt në rastin e Shqipërisë, është të narkoshtetit shqiptar në raport me transparencën dhe komunikimin.
Ju e shifni se si, Edi Rama refuzon në mënyrë të prerë debatin publik me Sali Berishën. Unë përsëri e ftoj atë, jo se kam ndonjë dëshirë të veçantë të përshëndetem me të, por e bëj këtë pikërisht për hir të transparencës para qytetarëve shqiptarë dhe interesit të tyre.
Ai ka bllokuar jo vetëm veten e tij, por ka bllokuar të gjithë kandidatët e tij që nuk lejohen të dalin me rivalët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, mbasi nuk kanë asgjë çka tu servirin shqiptarëve si program, dhe nuk kanë asnjë justifikim për dështimet vjedhjet dhe abuzimet masive që kanë bërë në 12 vite”, tha Berisha