Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me gratë në kryeqytet, në një bisedë ndryshe me ta, paraditen e kësaj të mërkure.
Gjatë bashkëbisedimit me gratë, Berisha tha se mediat po censurojnë opozitën dhe programin e saj në këto zgjedhje parlamentare të 11 majit, por shprehu bindjen se të gjithë së bashku, do ta tejkalojnë censurën, falë edhe takimeve me qytetarët në terren.
Teksa vlerësoi përfaqësimin e grave në këtë fushatë zgjedhore, Berisha tha se kurrë më parë, qytetarët e Tiranës, nuk kanë pasur ndonjëherë një përfaqësi kaq të aftë, kaq të mirë për ta në parlamentin e ardhshëm.
“Shumë faleminderit Adriana.
Një përshëndetje të përzemërt për të gjitha ju këtu, kandidate për deputete për qytetin e Tiranës.
Një përshëndetje të përzemërt të gjitha vajzave dhe grave në mbarë Shqipërinë që garojnë për deputete në Kuvend nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Përshëndetje shumë të përzemërt gjithashtu të gjithë stafeve tuaja, që po bëjnë gjithçka për një fitore spektakolare të opozitës shqiptare në këto zgjedhje.
Kjo është një garë e fortë.
Sistemi e ka transformuar në një garë në njërin aspekt, në një garë që ligjërisht nuk duhej të ishte e tillë.
Por padrejtësia ligjore, e sanksionuar, ka bërë që të ndahen në mënyra të ndryshme, të ndahen në dy grupe deputetet.
Por nga ana tjetër kjo është një garë prove shumë e çmuar, shumë e rëndësishme, e cila bën mobilizimin maksimal të forcave që ka PD dhe aleatët e saj për një sukses të vërtetë me 11 maj.
Ne kemi një epërsi të madhe.
Lista është lista më e mirë që i është paraqitur ndonjëherë Tiranës dhe Shqipërisë, qoftë kjo e grave dhe vajzave, qoftë kjo e burrave dhe djemve.
Ne në këtë garë konkurrojmë me zonja, zonjushe të shquara, në një identitet të fortë, individualitet të vërtetë dhe arritje të pamohueshme.
Në këtë aspekt theksoj se nuk kanë pasur ndonjëherë qytetarët e Tiranës një përfaqësi kaq të aftë, kaq të mirë për ta në parlamentin e ardhshëm.
Epërsia jonë tjetër e pamohueshme është programi ynë.
Ne kemi një program me të cilin me kompetencë të plotë ne u japim përgjigje të gjitha problemeve madhore të krijuara nga keqqeverisja e 12 viteve të asaj që e quan veten rilindje, por në fakt provohet e kundërta.
Ne kemi një projekt, projektin e Shqipërisë Madhështore, i cili fillon me paketën e dhembshurisë dhe përfundon me Shqipëria, epiqendër e teknologjive të larta në rajon.
Ky program, siç e shihni, ka pasur një impakt pozitiv dhe në tërësinë e tij as kritikët absurdë, askund nuk ka gjetur refuzim, përkundrazi është pritur mirë.
Është pritur me kënaqësi.
Është e sigurt që ky program është 100 përqind i realizueshëm.
Kjo ka rëndësi të madhe. E them këtu para jush, se në qoftë se në vitin 2005 ne paraqitëm një program, ai kishte të panjohurat e veta.
Kurse ky nuk ka të panjohura.
Ne kemi modelin e zbatimit të tij 100 përqind.
E zbatimit të tij në 100 ditët e para aq sa është zbatuar në 4 vite ndonjë program tjetër më parë.
Kështu që ka një rëndësi të jashtëzakonshme ta servirim këtë program.
Ne përballemi me vështirësi të shumëllojta, por kur jemi në fushatë elektorale, ajo që është më seriozja, është censura.
Ju, mediat iu censurojnë.
Opozitën, katër TVSH-të bis e censurojnë.
Këtu nuk merr vesh kush është TVSH është TVSH apo Top-TVSH, pra janë të gjitha një konglomerat kush e kush të censurojë më shumë opozitën dhe kush e kush t’i shërbejë më shumë qeverisë dhe favoreve që ajo u bën.
Fjala është kryesisht për mediat kombëtare.
Por historia ka treguar se sado e fortë të jetë kjo censurë, përsëri është e kapërcyeshme.
Dhe është e kapërcyeshme vetëm me takime me njerëzit.
Fushata e fundit e presidentit Donald Trump ka leksionin më të madh të saj, takimin me njerëzit.
Ai kishte një censurë të jashtëzakonshme, në tërësi nga të gjitha ato që quhen mainstream media, përveç njërit që ishte i lëkundur.
E keni parasysh se kishin vendosur gjigantët e rrjeteve sociale censurën. Dhe atë censurë e kishin kryesisht për Trump”, u shpreh Berisha.