Në një takim të Partisë Demokratike në Vorë, deputetja Albana Vokshi u ndal te situata në Vorë dhe Kashar, duke e cilësuar alarmante. Ajo theksoi se ka trokitur derë më derë së bashku me qytetarët për të shpërndarë dhe shpjeguar programin e PD, i cili, sipas saj, është për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike.
Vokshi u shpreh se qytetarët e kanë mirëpritur programin, pasi janë të lodhur nga padrejtësitë dhe mungesa e vizionit të qeverisjes vendore e qendrore. Ajo ngriti alarmin për ndotjen e rëndë në zonë, mungesën e infrastrukturës dhe përjashtimin nga investimet.
“Këto ditë bashkë me banorë të Vorës kemi ecur në shumë lagje, kemi trokitur në çdo derë, për të shpërndarë kudo dhe shpjeguar, programin e PD.
Kemi trokitur në çdo derë pa dallim ngjyre apo partie sepse ky program i shkëlqyer nuk është vetëm për demokratët por për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike.
Na është hapur çdo derë e kudo e kanë mirëpritur programin tonë.
Vora është gati për ndryshim, Kashari është gati për ndryshim sepse Vora dhe Kashari nuk kanë mungesë potenciali, por kanë mungesë drejtësie dhe vizioni nga keqqeverisja vendore dhe qendrore.
Fabrikat e ndotjes e kanë kthyer jetën e qytetarëve në një makth, qindra banorë kanë denoncuar për ajrin që thithin, për ndotjen akustike, për fëmijët e tyre që rriten në një mjedis të helmuar.
Kane përdorur çdo mënyrë denoncimi, dhe çfarë ka bërë Edi Rama? Ka heshtur.
Jemi në vitin 2025 dhe banorët e Vorës nuk kanë as ujë, as drita, as rrugë të asfaltuara, dhe ato pak fare investime që janë bërë në këto vite janë bërë në mënyrë selektive.
Këtu në Vorë këto vitet e fundit nuk sundon ligji, qytetarët ndihen të braktisur, ndihen të frikësuar, sundon vetëm një grup që kontrollon bashkinë, shërbimet publike, që vendos kush do përfitojë dhe kush do ndëshkohet, dhe në ditën e zgjedhjeve shfaqen si hije mbi kutitë e votimit. Edhe këtij grupi do t’i vijë fundi më 11 maj, do ta shporrim regjimin dhe banorët e Vorës do të jenë të lirë.
Edi Rama është rrezik për fëmijët, është rrezik për familjet, është rrezik për shoqërinë, ta refuzojmë me votë më 11 maj”, tha Vokshi.