Antidoti i taktikës “Shastis e sundo”!

Nga Iva V.GRILLO

Strategjia e “të bërit skandal” duke u munduar të hutosh, paralizosh apo hipnotizosh publikun, është një strategji e njohur në komunikimin publik apo manipulimin e opinionit.

Kryesisht bëhet nga personazhe me tendenca ekzibicioniste e egocentrike, të cilët luajnë me psikikën e publikut nëpërmjet formës, pa asnjë interes për përmbajtjen.

Ndërkohë që mediat e shkruara, Tv dhe ato online janë mbushur me spote elektorale të paguara nga pushteti, mbushur me bufra, kënetra e krijesa të tjera nga fusha e zoologjisë, duket se programi, strategjia, taktika e kreut të partisë shtet është: eleminimi i logjikës dhe të krijuarit e një konfuzioni total nëpërmjet deklaratave skandalizuese.

Pohimet, sjelljet vulgare dhe agresive të Kryeministrit nuk janë thjeshtë një rrëshqitje nga presioni parazgjedhor…(paçka se dhe ky i fundit ka ndikimin e vet në intensitetin e fyerjeve).
Ato janë fytyra e tij e vërtetë dhe e pandryshueshme ndër vite, por edhe “çyryk”programi, strategjia dhe vizioni i tij për mandatin e katërt.

Kjo provohet nga fakti që “kërkimi i faljes” për fyerjen e denigrimin e djeshëm, nuk e pengon të bëjë 10 deklarata edhe më skandaloze ditën e nesërme.

Strategjia “shastis e sundo” e kryeministrit është rruga që ai ka zgjedhur për delegjitimimin e kundërshtarit, garës, logjikës dhe çdo gjë që mund t’a mbante procesin zgjedhor brenda një farë normaliteti.

Opozita, publiku dhe ato media që kanë mbetur akoma jashtë ndikimit të partisë shtet, mendoj se do të përfitonin nëse do t’a injoronin plotësisht “koncertin” e tij recital…duke e reduktuar kryeministrin manipulator në një prestigjiator pa publik, një aktor në një sallë bosh apo një të marrë që nuk ia vë veshin askush.

Përkundrazi, të merresh me verbin e tij maniakal, do të thotë të futesh në një centrifugë irracionaliteti dhe çakërdisjeje e cila nuk e ndihmon opozitën.

Kjo nuk do të thotë që denoncimet ndaj shkeljeve të ligjit dhe gjuhës së tij denigruese nuk duhen bërë… sigurisht që po.

Por përsa i përket komunikimit publik, opozita duhet të mbajë fort timonin dhe të spjegojë kudo e kurdo programin e saj të rimëkëmbjes, i cili është një program serioz dhe antidodi më i mirë përballë çmendurisë dhe babëzisë së pushtetit.

About Redaksia

Check Also

Kullat, hijet dhe misteret e financimit, rreziku ligjor që fshihet poshtë tyre dhe sfida e bankave

Eduart HALIMI Arlind AHMETAJ   Hijet e kapitalit në Kullat gjigande të Tiranës: Bankat në …