Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë nr. 11 të Laprakës, ku prezantoi edhe Presidentin e Urdhrit të Maltës dhe ministren kroate qe ndodhen në Tiranë në fushatën e PD.
Berisha u shpreh se PD ka një projekt të qartë për të adresuar problemet e qytetarëve dhe për të luftuar varfërinë që është shkaktuar nga qeverisja aktuale.
Ai kritikoi ashpër qeverinë e Edi Ramës për keqpërdorimin e fondeve publike dhe shpërdorimin e pasurisë shtetërore.
Berisha theksoi se, një nga prioritetet e PD-së do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve për të rikthyer fuqinë blerëse të qytetarëve shqiptarë. Ai gjithashtu premtoi një luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe një qeverisje më të pastër dhe transparente.
Ai shprehet se, PD do të angazhohet për ndërtimin e infrastrukturës me kosto të ulët dhe efikasitet të lartë, duke shmangur shpërdorimet e parave publike. Berisha përmendi si shembuj ndërtimet e shtrenjta dhe projektet e dështuar të qeverisë Rama.
Në përfundim, ai u angazhua që PD do të sjellë një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për shqiptarët.
“I nderuar zoti president i Urdhrit të Maltës, Kalorës i Meritës.
E nderuar zonja ministre e qeverisë së Kroacisë, Nina Obuljen.
Të dashur miq, qytetare dhe qytetarë të pranishëm në këtë sallë.
I nderuar zoti Paloka, drejtues politik i zonës.
Të dashur kandidatë për deputetë të kësaj zone, Sali Shehu, Ilda Zhulali, Edi Paloka, Salvador Kaçi.
Një mirënjohje të pakufishme miqve tanë të nderuar që i kemi të pranishëm në këtë takim shumë të rëndësishëm për zonën tuaj.
Zonja dhe zotërinj, unë vij sot te ju për të paraqitur projektin e PD për kaur vitet që vijnë, pasi ky projekt bëhet çdo orë, çdo ditë më i pranuar, më i vlerësuar nga qytetarët shqiptarë në mbarë vendin.
PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore, aleanca më e madhe që ka garuar ndonjëherë para shqiptarëve, me projektin e saj synon para së gjithash të adresojë me shpejtësi problemet e mëdha dhe të dhimbshme me të cilat përballen sot qytetarët e Laprakës, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.