Drejtuesi politik i PD për Qarkun Tiranë, Belind Këlliçi ka reaguar për zhvillimet në Prokurorinë e Tiranës, ku kjo e fundit ka marrë në pyetje ish-Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, në lidhje me një denoncim gjatë fushatës elektorale të vitit 2023 për një aferë flagrante korruptive.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thekson se këtë denoncim SPAK e ka kaluar për moskopetencë në Prokurorinë e Tiranës edhe pse implikonte titullarët më të lartë të Bashkisë Tiranë.
Dosja penale është çelur nga organi i akuzës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Bellind Këlliçi, në kohën kur garonte për kryetar Bashkie i Tiranës, përballe Erion Veliajt.
“Disa javë më parë jam paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegimet e mia si kallëzues i një afere flagrante korruptive, të denoncuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2023. Bëhet fjalë për rehabilitimin e rrugës “Xhon Belushi”, gjatë orëve të vona të natës, nga punonjësit dhe mjetet e Bashkisë Tiranë, ndërkohë që vijontë të qëndronte e hapur procedura tenderuese për shtrimin e kësaj rruge.
Informacionet që erdhën në rrugë informale, tregonin përgatitjen e një masakre elektorale, ku parashikohej shtrimi i dhjetra rrugicave me asfalt elektoral gjatë zgjedhjeve, kryerja e procedurave fiktive tenderuese për këto punë, pagesa fiktive e kompanive për punët e pakryera dhe përdorimi i lekëve të buxhetit të Bashkisë Tiranë, për blerjen masive të votave në zgjedhje.
Sigurisht që pas denoncimit tim live në media dhe kapjes në flagrancë të punonjësve të Bashkisë Tiranë, me mjetet dhe asetet e bashkisë, ky tender ANULLOHET brenda 48 orësh. Menjëherë ne depozituam kallëzimin penal pranë SPAK, për këtë aferë korruptive të paprecedentë dhe të pa dëgjuar më parë. Afërmendsh SPAK këtë dosje, edhe pse implikonte titullarët më të lartë të Bashkisë Tiranë, vendosi t’ia delegonte Prokurorisë së Tiranës, për moskompetencë!
Marrja në pyetje e një prej arkitektëve të skemës korruptive 5D, tregon dhe njëherë se kallëzimi ynë është i bazuar në fakte dhe se dirigjenti i të gjithë asfaltit korruptiv në Bashkinë Tiranë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023, mban emrin dhe firmën e Biftek Maznikut!
SPAK u kujdes të fshinte firmat e Maznikut në pjesën më të madhe të tenderave të dhëna për kompaninë e 5 Drejtorëve. U mundua gjithashtu të fshehë firmat e Maznikut tek asfalti elektoral. U mundua të fshehë përgjegjësitë e tij për Inceneratorin e Tiranës, Tirana DC dhe dhjetra milionë euro të tjera të vjedhura në Bashkinë Tiranë.
Sot gjej rastin sërish t’i drejtoj një thirrje publike SPAK, për të mos pluhurosur dosjet e korrupsionit madhor të Bashkisë Tiranë.
Sado të përpiqeni ta amnistoni Biftekun, fundi i tij dihet! Njëlloj siç u gjend Nesti Angoni për likujdimin juridik të Erion Veliajt, do të gjendet dhe një Nest tjetër, sapo Mazniku të mbarojë shërbimin elektoral në qarkun Elbasan!
Partia shtet tashmë e ka marrë vendimin. Është thjesht çështje kohe!”, shkruan Këlliçi.