Zgjedhjet në Shqipëri marrin nuanca ndërkombëtare: Trump, Soros dhe një strateg i ri në Tiranë Dy media ndërkombëtare, Fox News dhe Politico, kanë hedhur vështrimin mbi arenën politike shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke e interpretuar përplasjen Rama-Berisha si reflektim të tensioneve gjeopolitike që tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Fox News paraqet përballjen si një luftë me tone ideologjike mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe filantropit George Soros, ndërsa Politico e sheh situatën si një pasqyrim të fërkimeve strategjike mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, me ndikim të mundshëm në rrugën europiane të Shqipërisë.
Por ekspertët, të intervistuar nga Faktoje, e konsiderojnë këtë krahasim të nxitur më shumë nga taktikat elektorale sesa nga realitetet politike, dhe vlerësojnë se ai nuk përbën kërcënim real për integrimin europian të vendit.
Një Përballje “Trump vs Soros” në versionin shqiptar?
Fox News njihet për një linjë editoriale konservatore, duke mbështetur shpesh politikanë dhe politika të Partisë Republikane. Kjo media ka qenë veçanërisht mbështetëse ndaj Donald Trump gjatë presidencës së tij dhe kritike ndaj Partisë Demokratike dhe mediave liberale.