Nikola Kedhi, përfaqësues nga Departamenti “Brain Gain” në Partinë Demokratike, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “KAFE SHQETO” në Syri Tv, deklaroi se, Shqipëria nuk është më e izoluar diplomatikisht si në vitet e fundit. Sipas tij, ka një ndërgjegjësim të qartë ndërkombëtar për rrëshqitjen e vendit drejt autoritarizmit dhe një forme të butë diktature.
Kedhi u shpreh se raporti paraprak i OSBE-së nuk përbën një pasaportë evropiane për Shqipërinë. Ai theksoi se integrimi kërkon standarde demokratike dhe zgjedhje të lira, ku sipas tij, vendi çalon rëndë. Megjithatë, ai shprehu besim në një monitorim më të rreptë nga partnerët ndërkombëtarë në zgjedhjet e ardhshme.
“Kanë ndodhur shumë gjëra në këto muajt e kaluar, së pari Shqipëria nuk është më e rrethuar me murin e padukshëm diplomatik që ka qenë e rrethuar deri më sot, në pjesën më të madhe të kësaj dekade dhe veçanërisht 3 vitet e fundit.
Ka një ndërgjegjësim të komunitetit ndërkombëtar që gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë mirë, por po shkojnë keq e më keq dhe Shqipëria po rrëshket në një autoritarizëm ose në një formë diktature të butë, le të themi, e ngjashme me këto neodiktaturat që gjejmë edhe në disa vende të tjera, edhe evropiane. Ky është ndryshimi i parë edhe themelor.
Opozita shqiptare ka pasur mundësinë që të tregojë se si është situata e vërtetë në forume të ndryshme ndërkombëtare, në institucione të ndryshme ndërkombëtare, siç pamë dhe liderin e opozitës Berisha, në kongresin e Partive Popullore Evropiane ditën e djeshme dhe mesa duket kjo pasqyrë është edhe e dukshme edhe për OSBE-në, që ka hequr dorë, siç thatë edhe ju, nga gjuha sterile që përdor zakonisht, nga gjuha e drunjtë që përdor përgjithësisht.
Unë dua të them këtë, që ai dokument i paraqitur nga OSBE, raport paraprak, nuk është një pasaportë evropiane.
Mund të jetë çdo gjë përveç pasaportës evropiane sepse duhet kujtuar që pasaporta evropiane, ose futja në Bashkimin Evropian, nuk është thjesht ajo pasaportë që valëvit dhe premton kryeministri për të dëbuar nga Shqipëria edhe ata pak që kanë ngelur, por është arritja e disa standardeve të panegociueshme.
Përveç nga ana ekonomike, garantimi i një jete dinjitoze për qytetarët, është edhe arritja e disa standardeve demokratike, ku zgjedhjet janë një komponent tejet i rëndësishëm, për të cilin nuk kanë vlerë shumë komponentë të tjerë. Dhe ne këtu çalojmë në mënyrë të frikshme.
Unë shpresoj dhe jam i sigurt që do ketë një monitorim ndryshe nga herët e tjera në zgjedhjet në Shqipëri, nga OSBE, nga forume politike si EPP, si IDU-ja, si CDI-ja që është një nga forumet më të mëdha që grumbullon numrin më të madh të partive botërore të qendrës, dhe qendrës së djathtë, ndaj nuk do kemi atë shkeljen e syrit që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, qoftë 2021, qoftë 2017, ndaj patjetër është një garanci më shumë.
Por manipulime do ketë, absolutisht. Nuk është një gjë e re, është një gjë që të gjithë e dimë, por ka një mënyrë për të minimizuar efektin e çdo manipulimi, është vajtja ditën e votimit për të votuar, më 11 maj.
Nëqoftëse ne garantojmë një dallgë blu, një numër aq të madh njerëzish, me një pjesëmarrje rekord, ditën e votimeve, kjo gjë minimizon efektin e manipulimeve”, tha Kedhi.