Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ndërprerë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, kanë raportuar mediat në Serbi për REL.
Justifikimi zyrtar është që zoti Vuçiç u sëmur, ndaj dhe nuk mundi të finalizonte takimin e parashikuar me Trump.Sipas transmetuesit publik serb, RTS, pasi është kontrolluar nga mjekët, Vuçiç ka vendosur që të kthehet në Serbi.
Por duket e çuditshme që zotit Vuçiç nuk iu ofrua ndihmë mjekësore nga spitalet e specializuara amerikane. Si rregull autoritetet shtetërore amerikane mbajnë dhe qëndrim publik në të tilla raste dhe raportojnë mbi gjendjen shëndetësore të pacientit.
Gjatë qëndrimit në SHBA, zoti Vuçiç u takua me ish-kryetarin e Nju Jorkut, Rudy Giuliani.
Ishte parashikuar që ai të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, para se të ndërpriste vizitën në SHBA.
I dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i ka uruar shërim të shpejtë Vuçiçit, pasi udhëheqësi serb ndërpreu vizitën papritur. Të kujtojmë faktin se Grenell është mbështetësi më i madh i presidentit serb, e njëkohësisht lobist i pashpallur i Vuçiçit dhe Ramës pranë administratës Trump.
Në një postim në X, Grenell po ashtu ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur të takohet me udhëheqësin serb.
Sipas agjencisë Tanjug, Vuçiç u sëmur teksa po përgatitej për takimet me kongresistë amerikanë.
Zyra e Vuçiçit ka thënë se në ditët në vijim do të ofrojë informacione për publikun se çfarë probleme shëndetësore ka udhëheqësi serb.