Berisha në Bulqizë: Do miratojmë statusin e minatorit brenda 100 ditëve, pensionet tuaja do jenë më të lartat në vend!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e qytetit të Bulqizës, deklaroi se qeveria që ai do të drejtojë pas 11 majit do të miratojë statusin e minatorit brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Në një fjalim të mbajtur përpara një salle të mbushur me qytetarë, Berisha u shpreh me tone të forta se shteti shqiptar ka qenë i padrejtë për dekada ndaj minatorëve, duke mos i shpërblyer asnjëherë për sakrificat e mëdha që kanë bërë në shërbim të ekonomisë kombëtare.
Ai u zotua se statusi i minatorit do të shoqërohet me një rrogë minimale prej 1 mijë eurosh dhe me pensione më të larta se çdo kategori tjetër në vend.
“Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, ju qytetarëve të Bulqizës të pranishëm në këtë sallë, por edhe të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që janë.
Dua të përulem me shumë nderim para jush, burra dhe gra të Bulqizës, për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë në ekonominë, në shkencën, në dijet, arsimin, kulturën e këtij vendi.
Unë vij sot tek ju edhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie.
Në fakt edhe me një ndjesë reale për padrejtësitë që janë bërë ndaj jush.
Shoqëria shqiptare, shteti shqiptar kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë.
E them këtë sepse ju, baballarët tuaj, njerëzit tuaj, në dekada e dekada, keni derdhur lumenj djerse nëntokë në kushte shumë të vështira me sakrifica të mëdha, herë herë dhe jetën dhe ju nuk keni marrë, nuk jeni shpërblyer asnjëherë për atë që meritoni.
Unë kam biseduar në mënyrë të përsëritur me përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e sindikatave, Përparimin, Shaqirin, dhe vij para jush me një koncept të ri.
Dhe ky koncept është ky: Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve.
Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime.
Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet.
Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit.
Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja!
Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye!
Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë.
Dhe do bëjmë një gjë shumë të madhe për sipërmarrësin eksportues.
Do kompensojmë qindarkë për qindarkë euron që e shtrinë përdhe trafikantët.
Futet narkoeuro me kontejner dhe këtu ndërmarrja falimenton se ai me euro eksporton.
Por euroja e zhvlerësuar atë e dëmton 35 përqind.
Qëllimi ynë është që këto pasuri botërore, Bulqiza përsëri ka rezerva botërore kromi, absolutisht ua them unë këtë. Janë bërë studime nga kompanitë më të mëdha në botë. Ata më thanë mua se janë akoma edhe 22 milionë ton për t’u shfrytëzuar.
Nuk është vetëm Bulqiza. Shqipëria ka pasuri përrallore minerare. Malet e saj janë mineral.
Kështu që çështja e statusit do jetë një nga çështjet më serioze tona”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Paralajmërimi i Berishës për Ramën/ Do të tërheqim si nuk ta pret mendja…

Pjesë nga fjala e Berishës: E tmerruat Edvin Kristaq Ramën. Prandaj dhe ne le të …