Në takimin përmbyllës të fushatës së kreut të PD-së, Sali Berisha, në Dibër, mori fjalën edhe qytetarja Elona Pana.
Pana u shpreh se qeveria po i detyron të largohen nga vendi. “Unë jam e re, por jo e verbër. Na duhet të kthejmë shpresën dhe këtë mund ta bëjë vetëm PD”, tha ajo. Gjithashtu, Elona u bëri thirrje qytetarëve të votojnë “njishat”, sepse, sipas saj, ne jemi njisha!
“Përshëndetje të gjithëve! Mirë se vini në Dibër. Sot jemi këtu jo vetëm për të mbyllur një fushatë, por për të hapur një rrugë të re shprese për të gjithë dibranët. Prania juaj na jep forcë, sepse ju jeni zëri i palëkundur i lirisë dhe demokracisë. Sot, me dhimbje, babai im është në emigracion – larg meje, larg familjes, qytetit dhe të afërmve. Ai është larg, jo sepse donte, por sepse nuk kishte zgjidhje. Kam mall për të, mall për një përqafim që nuk vjen nga larg.
Kam një nënë që sakrifikon dhe punon me shumë ndershmëri, por pa vlerësim. Paga që merr mezi mbulon nevojat më bazike, prandaj im atë emigroi. Shumë njerëz në Dibër nuk jetojnë, por mbijetojnë. Edhe pse jam vetëm 16 vjeç, ndjej që po më detyrojnë të braktis vendin tim. Dua të jetoj, të mësoj e të punoj në qytetin tim. Dua që Dibra të ringjallet. Besoj tek PD, sepse është partia që ka qenë gjithmonë me njerëzit e zakonshëm. Ajo ka ndërtuar institucione, jo i ka shuar ato. Duam që PD të rikthehet në qeveri. Unë jam e re, por nuk jam e verbër.
Nesër mund të jetë vonë. Prandaj flas në emër të të gjithë atyre që nuk kanë zë. Nuk ka kohë për të shpresuar, duhet të veprojmë. Na ktheni Dibrën, na ktheni shpresën – dhe PD mund ta bëjë këtë. Njisha jemi, dhe votoni njishat!”, tha Elona Pana.
Gazeta RD