Në një postim në Facebook Kisha ka përshkruar rrugëtimin e tij si misionar në Kishën Katolike.
“Kardinali Robert Francis Prevost, O.S.A., Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe Kryepeshkop-ipeshkëv emeritus i Chiclayo-s, ka lindur më 14 shtator 1955 në Çikago (Illinois, Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Në vitin 1977 ai hyri në noviciatin e Urdhrit të Shën Augustinit (O.S.A.) në provincën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shën Luis. Më 29 gusht 1981 dha kushtet solemne. Studioi në Bashkësinë Teologjike Katolike të Çikagos, ku mori një diplomë në teologji.
Në moshën 27-vjeçare, Urdhri e dërgoi në Romë për të studiuar të drejtën kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit (Angelicum). U shugurua meshtar më 19 qershor 1982. Në vitin 1984 mori licencën dhe më pas u dërgua të punonte në misionin e Chulucanas, në Piura të Perusë (1985–1986). Në vitin 1987 fitoi doktoraturën me tezën: “Roli i priorit vendor në Urdhrin e Shën Augustinit”. Në të njëjtin vit u zgjodh drejtor për thirrjet dhe drejtor i misioneve të provincës augustiniane “Nëna e Këshillit të Mirë” në Olympia Fields, Illinois, SHBA.
Në vitin 1988 u dërgua në misionin e Trujillos si drejtor i projektit të përbashkët të formimit për kandidatët augustinianë në Vikariatet e Chulucanas, Iquitos dhe Apurímac. Aty shërbeu si prior komuniteti (1988–1992), drejtor i formimit (1988–1998) dhe mësues i të profesuarve (1992–1998). Në kryedioqezën e Trujillos shërbeu si vikar gjyqësor (1989–1998) dhe si profesor i të drejtës kanonike, patristike dhe morale në Seminarin e Madh ‘San Carlos e San Marcelo’. Në vitin 1999 u zgjodh prior provincial i provincës “Nëna e Këshillit të Mirë”, Çikago. Pas dy vjetësh e gjysmë, Kapitulli i përgjithshëm ordinar e zgjodhi prior të përgjithshëm, shërbesë që iu besua sërish në Kapitullin e përgjithshëm ordinar të vitit 2007.
Në tetor 2013 u kthye në provincën e tij (Çikago) për të shërbyer si mësues i të profesuarve dhe vikar provincial, role që i mbajti deri më 3 nëntor 2014, kur Papa Françesku e emëroi administrator apostolik të dioqezës së Chiclayo-s, Peru, duke e ngritur në dinjitetin e ipeshkvit dhe duke i dhënë dioqezën titullare të Sufar. Më 7 nëntor mori në zotërim kanonik dioqezën në prani të nunciut apostolik James Patrick Green; u shugurua ipeshkëv më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupes, në katedralen e dioqezës së tij. Shërbeu si ipeshkëv i Chiclayo nga 26 nëntor 2015. Në mars 2018 u bë nënkryetar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore të Perusë.
Papa Françesku e emëroi anëtar të Kongregatës për Klerin në vitin 2019 dhe anëtar të Kongregatës për Ipeshkvijtë në vitin 2020. Më 15 prill 2020, Papa e emëroi administrator apostolik të dioqezës së Callao-s. Më 30 janar 2023, Papa Françesku e emëroi Kardinal Prevost si prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe president të Komisionit Papnor për Amerikën Latine. U krijua dhe u shpall Kardinal nga Papa Françesku në Konsistorin e 30 shtatorit 2023, në Diakoninë e Santa Monica. Anëtar i: Dikastereve për: Ungjillëzimin, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta; Doktrinën e Fesë; Kishat Lindore; Klerin; Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; Kulturën dhe Arsimin; Tekstet Legjislative; Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit.” shkruhet në deklaratë.