Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kreu i PD-së ishte në Shkodër, ku mori fjalën edhe mësuesja Blerina Kraja.
Kraja u shpreh se si arsimtare ndihet e zhgënjyer dhe tha se mesazhi i të ardhmes tonë dhe i ndryshimit do të jetë data 11 maj.
“Mirëmbrëma të gjithëve! Jam e privilegjuar të jem këtu para jush! Sot nuk kam emocionet, i kam lënë për datën 11 maj, që të festojmë fitoren e madhe të PD-së! Unë e di që nuk kam nevojë për prezantim, jam bijë e Shkodrës. Unë jam me profesion mësuese prej 20 vitesh. E di që një pjesë e juaja këtu kanë qenë edhe nxënës të mirë, disa të tjerë janë larguar jashtë për arsye të ndryshme.
Arsyeja kryesore është arsyeja ekonomike. Kur e kam zgjedhur profesionin tim si mësuese, e kam zgjedhur me gjithë zemër, sepse babai im kishte dëshirë të bëhem arsimdashëse. Këto vitet e fundit jam zhgënjyer totalisht nga profesioni im. Punoj në një zonë rurale me klasa më të vogla, me gjimnazistë që kanë dëshirë të largohen nga vendi, ndihen të paplotësuar.
Ndihem e paplotësuar për të ardhmen e tyre, prandaj ikin, ikin edhe pa e marrë maturën dhe kjo më dhemb më shumë. Megjithatë, ne jemi sot këtu për një vizion të ri, për një Shkodër madhështore, për një Shqipëri madhështore.
Si bijë e Shkodrës, kam dalë disa herë përpara jush, por sot është një emocion i veçantë. Kemi në dorë fatin e Shqipërisë, fatin e Shkodrës, kemi në dorë fatin e jetës sonë. Ndryshimi duhet të bëhet me datën 11 maj. Na ka dhënë Zoti një aftësi të madhe, aftësinë e fjalës, aftësinë e pasionit, aftësinë e shpirtit dhe ta tejçojmë mesazhin e madh të fitores.
Mesazhin e të ardhmes tonë, mesazhin e ndryshimit të madh që do të jetë data 11 maj. Shkodra ka treguar që është dhe do të jetë e djathtë. Mirënjohëse dhe përulem para jush, jeni ju, jemi ne, është PD dhe e ardhmja jonë!”, tha Blerina Kraja.