nga Bujar Leskaj
Sot, tre ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kryeministri Rama dhe zvkryeministrja Balluku kanë inskenuar një fluturim propagandistik në aeroportin e Vlorës, ende të papërfunduar dhe të pashfrytëzueshëm për operacione të rregullta ajrore. Një avion pa asnjë sigël kompanie ajrore u ngrit sot nga Rinasi dhe pak para mesditës zbriti në pistën e ndërtuar në Vlorë, në një veprim të pastër elektoral, pa asnjë vlerë funksionale për transportin ajror të vendit dhe për lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve.
Fluturimi “testues” si një spektakël mjeran
Ky “fluturim testues” nuk është as zyrtar dhe as teknik, por vetëm dhe thjesht një shou mjeran. Pista ende nuk e ka kaluar çertifikimin ndëkombëtar të detyrueshëm për fluturime komerciale, të domosdoshëm për fluturime në të. Madje nuk të kryera as edhe nuk testimet profesionale bazë, të cilat do të garantonin sigurinë minimale për ulje-ngritje të avionëve.
Këto janë arësye kokëforta dhe të mjafta, pse madje as kompania “Albanian Airlines” nuk ka prauar të marrë pjesë në këtë veprim, duke e konsideruar të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm. Gjithçka është organizuar me urgjencë nga sekti në qeverisje, me një avion të porositur dhe gjetur me urgjencë, i cili nuk mban sigël të kompanive të njohura të fluturimit, madje as edhe siglën e kompanisë së flamurit shqiptar, kompani për të cilën vetë Rama mburrej më parë.
E gjithë kjo aventurë e rrezikshme organizohet nga Rama, për të inskenuar gjoja një “hapje” reale të aeroportit të Vlorës, në një kohë që ai është ende në ndërtim dhe me pistën ende për t’u kolauduar dhe marrë çertifikimet përkatëse ndërkombëtare. Në një kohë kur nuk ka mjedise pritëse për pasagjerët, pasi terminali i aeroportit është ende në ndërtim. Në një kohë kur nuk është funksionale kulla e komunikimit me pilotët në fluturim. Lind pyetja: Çfarë fluturimi “testues” është ky?
Nëse nuk është fluturim provë, atëhere përse bëhet kjo maskaradë? Thjesht dhe vetëm për të prodhuar pamje mediatike të planifikuara për rrjetet sociale të kryeministrit. Për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, tre ditë para zgjedhjeve, se gjoja Vlora është gati me fluturimet.
Shfaqja me një avion të vetëm
Lind pyetja: sa turistë zbritën në pistën në Vlorë? Sa vlonjatë fluturuan me këtë avion nga Tirana për në Vlorë, përveç onturazhit servil qeveritar të Ramës? Përgjigjja: asnjë!
Shfaqja mjerane me një avion të vetëm, në një pistë ende në ndërtim dhe terminal që duhet të konfigurohet i plotë, që të shpresosh pas shumë muajsh të jetë gati për të pritur pasagjerë, kërkon të shitet si kurorëzimi i një investimi strategjik të qeverisë. E gjitha kjo, në një kohë që realiteti është shumë më ndryshe.
Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pas shumë shtyrjesh dhe premtimesh të pambajtura, ende do kohë që të jetë funksional dhe të operojë normalisht për qytetarët. Kjo kohë mund të zgjatet dhe të shkoje edhe një vit.
Rrezikojmë të paguajmë me dhjetra milionë euro nga Buxheti i Shtetit
Në prill 2025, Aeroporti i Mynihut, ndër më të mëdhenjtë e Evropës, u tërhoq nga shfaqja e interesit dhe bashkëpunimi për të qenë ai operatori i Aeroportit të Vlorës. Prania e autoriteteve të Aeroportit të Mynihut, si autoritet operues i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ishte një garanci për suksesin e aeroportit tonë në Jug. Pa këtë mbështetje, ky aeroport rrezikon të ketë fatin e Aeroportit të Kukësit, i cili nuk funksionon. Kjo ndodh, në një kohë kur qeveria e sektit Rama ende nuk ka dëmshpërblyer fermerët në Akërni, për tokën e marrë për të ndërtuar aeroportin.
Kontrata për ndërtimin e aeroportit e ka futur Buxhetin e Shtetit në një aventurë financiare që mund të ketë pasoja. Sipas studimit te fizibilitetit të aeroportit (https://www.infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/AL-STUDIM-FIZIBILITETI-VIA.pdf), Buxheti i Shtetit garanton të ardhurat minimale në 10 vitet e para, nëse te ardhurat nga funksionimi i aeroportit dalin më pak se 140 milionë euro. Konkretisht, Buxheti i Shtetit garanton për vitin e katërt 9.6 milionë euro, për vitin e pestë 10.3 milionë euro, për vitin e gjashtë 11.2 milionë euro dhe për vitin e shtatë 12.1 milionë euro. Për të katër vitet së bashku rrezikojmë të paguajmë me dhjetëra milionë euro nga Buxheti i Shtetit, nëse vëllimi i fluturimeve dhe pasagjerëve nuk garanton 140 milionë euro të ardhura.