Aktorja Juli Emiri, e pranishme në takimin përmbyllës të fushatës së PD-ASHM, theksoi se të gjithë ata që janë në anën e kundërt e kanë zili forcën dhe betejën që ka bërë ky koalicion, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që shansin e vetëm për të qenë në anën e duhur të historisë ta kapin më 11 maj. Ajo theksoi se data e dielë do të jetë momenti që do të ndryshojë Shqipërinë dhe do të vendosë një rrugë të re për të ardhmen e vendit.
Juli Emiri
“Mirëmbrëma 1-sha! Numri 1 është më shumë se thjesht një numër në fletën e PD. Disa mund ta shohin si një rastësi, por për mua nuk është një short i rastësishëm. Për mua është një sinjal që vjen pikërisht sot, pikërisht në këtë vit. Ishte e destinuar që PD të kishte këtë vit numrin 1. Të gjitha kushtet duhet të piqeshin dhe PD ta fitonte tani, sepse kur punon shumë fort për diçka, universi punon për ty.
Kjo betejë dhe kjo luftë që kemi bërë po kthehet në favorin tonë. Ky numër që kemi fituar është më shumë se thjesht një numër, është një shenjë që na vjen si dhuratë. Ne e kemi fituar këtë numër përpara se ta fitojmë të dielën. Ishte e shkruar që PD dhe Shqipëria të shkundeshin nga themelet dhe të rithemeloheshin për t’u ngritur më të forta dhe më të pushtetshme se kurrë.
Tani jemi më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Beteja jonë ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por kur fiton një betejë të tillë, nuk mund të shkojë ndryshe. Ata që kanë heshtur dhe janë në anën e kundërt të historisë na kanë zili për luftën që kemi bërë, për emocionet që ndjejmë, për lotët e humbjes dhe qeshjet e fitoreve, për guximin dhe lirinë që kemi, sepse ata nuk e kanë këtë.
Ata që janë në anën e kundërt kanë pyetur veten gjatë gjithë kësaj kohe, ‘po sikur të isha unë në anën e duhur të historisë?’ Unë ju them që keni një mundësi të fundit për të qenë në anën e duhur të historisë. Të dielen, më 11 maj, kur të shkoni përpara fletës së votimit, harroni të gjitha llogaritë dhe njerëzit që keni përreth, dhe qëndroni përpara ndërgjegjes tuaj. Ai kryq që do të vini në fletën e votimit është emri juaj, është jeta juaj, është e ardhmja që do t’i lini fëmijëve tuaj. Mos e harroni këtë!”