Emocionet e një fushate madhështore

Nga Neada STANA

Fushata e vitit 2025 për mua nuk ishte thjesht një proces politik, por një rrugëtim dyvjeçar që nisi si një përpjekje personale dhe u kthye në një mision të përbashkët. Ishte fillimi i një rruge, por edhe vazhdimi i një ideali që më shoqëron prej kohësh. Dy vite e gjysmë angazhim në Partinë Demokratike, përmes Departamentit Brain Gain dhe si anëtare kryesie në vendlindjen time në Mat, kanë qenë një përvojë e bukur, sfiduese dhe thellësisht formuese.

Në ditë të vështira, kur nuk kishim as simbol, as logo e as flamur, shpesh më është thënë të ruaj energjinë dhe imazhin tim, të mos e “konsumoj veten” pas një partie që shumë e konsideronin pa të ardhme. Por intuita dhe ndjesitë e mia më tregonin se isha në rrugën e duhur. Unë nuk kam ndjekur kurrë rrugët e lehta. Kam zgjedhur gjithmonë ato më të vështirat, ato që kërkojnë përkushtim, durim dhe guxim. Sfida që të lodhin, ndonjëherë edhe të konsumojnë, por që të ushqejnë me ndjesinë e thellë se po bën diçka me vlerë për vendin tënd.

Fushata për mua ishte një përjetim, një udhëtim i gjatë nga Primaret e PD deri më sot. Kam mësuar se nuk kemi nevojë të jemi perfektë, por të jemi njerëzorë, të aftë, të sinqertë. Kam pasur mundësinë të jem pjesë e fushatës kombëtare nga Saranda në Shkodër, ku kam ndjekur nga afër ritmin dhe emocionet e saj mes njerëzve, duke njohur persona të mrekullueshëm që më kanë dhënë frymëzim dhe forcë. Sa më shumë njerëz takoja, aq më shumë kuptoja pse e kisha zgjedhur politikën, sepse puna në terren dhe kontakti me njerëzit nuk janë thjesht detyra politike, janë përjetime që më japin energji, forcë dhe qëllim.

Kam bindjen se politika nuk është profesion, por një mjet për të realizuar një mision të brendshëm. Fjalët, emocionet dhe ndjesitë janë armë transformimi. Politika duhet të jetë përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie reale me njerëzit, për t’i kuptuar, për t’u qëndruar pranë vetëm atëherë mund t’u shërbesh vërtet dhe të mos shkëputesh nga realiteti i tyre.

Energjia ime vjen nga dëshira për t’i kuptuar sfidat dhe dhimbjet që përjetojnë njerëzit, për t’i ndihmuar me aq sa mundem. Politika nuk është për t’u dukur, për të folur apo shkruar bukur. Ajo është të jesh aty, pranë njerëzve, të dëgjosh, të kuptosh dhe të ndërtosh ura mes tyre dhe institucioneve. Kjo lidhje krijohet përmes përjetimit, ndjeshmërisë dhe ndjenjës së përfshirjes.

Gjatë këtyre muajve, çdo takim, çdo bisedë, çdo buzëqeshje apo shqetësim i lexuar në sytë e njerëzve ishte më shumë se një moment elektoral ishte një thirrje për përgjegjësi, për të qenë e vërtetë, e pranishme dhe e sinqertë.

Besoj se kjo fushatë më ka dhënë më shumë seç i kam dhënë unë asaj. Më ka përmirësuar si njeri dhe si qytetare. Më ka bërë të kuptoj se në zemër të politikës nuk qëndrojnë fjalimet apo imazhi, por njerëzit, hallet e tyre, shpresat e tyre, buzëqeshjet dhe dhimbjet që mbartin çdo ditë.

Kjo është rruga që kam zgjedhur. Nuk është e lehtë, por është e denjë. Sepse më çon aty ku dua të jem pranë njerëzve. Bashkë me ta, duke dhënë kontributin tim për një Shqipëri madhështore.

About Redaksia

Check Also

Kullat, hijet dhe misteret e financimit, rreziku ligjor që fshihet poshtë tyre dhe sfida e bankave

Eduart HALIMI Arlind AHMETAJ   Hijet e kapitalit në Kullat gjigande të Tiranës: Bankat në …