Kreu i PD-së Berisha tha mbrëmjen e sotme se sipas të dhënave nga terreni, tregon për një dominim të qartë të aleancës së opozitës të udhëhequr nga PD-ja.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, ai theksoi se PD-ja ka dokumentuar të gjitha shkeljet e ndodhura gjatë zgjedhjeve të ditës së sotme ndërsa nuk pranoi të jepet parashikime mbi numrin e mandateve që pritet të marrë koalicioni opozitar.
“Autori i Exit Poll-it është gënjeshtari dhe një person i afërt me Edi Ramën që i shërben atij në çdo rast si një dëshmitar fals. Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë të aleancës sonë. Edhe rritja e ndjeshme në përqindjet në votime në zonat tona është një ogur i bardhë për rezultatin e aleancës sonë. Kurrë nuk flas për përqindje dhe numra pa dalë ato. Nuk kam dëshirë të bëj rolin e profetit. Ai merr Batonin si gënjeshtar i gatshëm. Unë pres sovranin. Gjatë gjithë ditës kemi dokumentuar me përgjegjësi të plotë të gjitha shkeljet dhe paligjshmëritë në mbarë vendin. Përgjegjësia për të gjitha ato që ndodhin është e Edi Ramës. Të dhëna operative nga mbarë vendi dhe të qendrës së djathtë priten konform kësaj rritjeje dhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duar të komisionerëve, në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës, bandat e Pojës dhe Troplinit kanë vërshuar drejt KZAZ-së me urdhër nga Edi Rama, se mund të ndikojë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës. Janë denoncuar qoftë nga media, qoftë nga PD. Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve. Porosia ime e prerë për gjithë komisionerët tanë është të jenë qëndrestarë.” – tha Berisha