Përfaqësuesi i Diasporës i PD, Daniel Nikolla, i ftuar në emisionin Task Force në Syri TV me moderatoren Sonila Meço, theksoi se qeveria Rama po vepron në mënyrë të fshehtë dhe të papërgjegjshme lidhur me marrëveshjet për strehimin e emigrantëve nga Britania.
Ai u shpreh se kryeministri, dikur kundërshtar i ashpër i skemës së Ruandës, tashmë po e rikthen të njëjtën ide në një formë tjetër, duke vendosur Shqipërinë në shërbim të axhendave të huaja, pa transparencë dhe pa konsultim me qytetarët.
“Diskutohet se i njëjti kryeministër, i cili dikur ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër skemës së Ruandës, tashmë i është rikthyer të njëjtës ide, por në një formë disi të ndryshme. Nuk bëhet fjalë më për dërgimin e emigrantëve në Ruandë, por për dërgimin e tyre në vende të tjera, si Shqipëria apo vendet e Ballkanit.
Deklaratat mohuese të kryeministrit tonë kanë qenë gjithmonë në kohën e shkuar; ai ka thënë: “Nuk e kam pranuar”, por nuk ka thënë se “nuk do ta pranoj tani” apo “në të ardhmen”. Nga fjala e tij mund të kuptohet se kjo është diçka që, tashmë që e kemi votuar, do të duhet ta përballojmë në vitet e ardhshme. Besoj se është pjesë e një plani më të gjerë që ka nisur në shtete të tjera dhe që pritet të zgjerohet më tej.
Kemi një problem serioz me emigracionin ilegal, por nga sa kuptohet, kryeministri Rama dhe qeveria jonë socialiste janë shumë të gatshëm të pranojnë këta njerëz në Shqipëri, duke rrezikuar kështu që të zëvendësojnë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit me emigrantë të ardhur nga jashtë.
Nga ana tjetër, Keir Starmer ka theksuar se bashkëpunimi Britani–Shqipëri do të vazhdojë edhe më tej. Megjithatë, liderë të komuniteteve shqiptare në Britaninë e Madhe janë shprehur kundër marrëveshjeve të kryeministrit Rama, të cilat i konsiderojnë krejtësisht jo transparente. Jo vetëm që nuk dihet saktësisht se çfarë është synuar dhe çfarë është arritur, por gjithashtu duket se procesi do të shkojë më tej, pa asnjë qartësi për publikun”, tha Nikolla.