Zgjedhje si në kohë lufte!

Nga Enver BYTYÇI

Shqipëria zhvilloi të dielën e kaluar zgjedhjet parlamentare të radhës. Rilindja e Edi Ramës u shpall fituese e këtyre zgjedhjeve. Në vitin 2013, kur Rama erdhi në pushtet së bashku me Ilir Metën, Partia Socialiste fitoi vetëm 65 deputetë. Të tjerët i takonin LSI-së dhe të dyja së bashku formuan institucionet. Në vitin 2017, Rilindja e vetme, kësaj radhe pa Metën, “fitoi” shumicën absolute. Madje me një numër deputetësh të madh prej 76. Në vitin 2021, pas tetë vitesh në pushtet, sërishmi “fitoi” 74 deputetë. Ndërsa kësaj radhe Rilindja “ka fituar” 82 deputetë. Dhe nëse shtojmë dhe tre deputetët e Tomë Doshit, votat e Edi Ramës shkojnë 85, të mjaftueshme për të bërë ligje të shumicës së cilësuar.

Çdokush do të çuditej se si një subjekt politik shton numrin e deputetëve në proporcion me kohën që rri në pushtet. A funksionon maksima se “pushteti të konsumon”?! Në këtë rast jo. “Fitoret” e Edi Ramës janë një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Rasti i tij duhet hulumtuar si rast specifik, jashtë çdo rregulli. Edi Rama “fiton” edhe atëherë kur nuk jep asnjë program. Sa më shumë shqiptarët largohen nga vendi, aq më shumë atij i shtohen votat! Sa më shumë polarizohet pabarazia, aq më shumë deputetë ka ai në parlament. Sa më shumë para pastrohen në grataçielat e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë, aq më shumë rritet elektorati i tij.

Sa më shumë përqafohet dhe vëllazërohet me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq, aq më shumë “pëlqehet” jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe në Shqipëri e te shqiptarët. Sa më pak t’u japë pensionistëve, aq më shumë “e votojnë” ata! Sa më shumë ministra, deputetë, kryetarë të bashkive të Rilindjes të hyjnë në burg për korrupsion, aq më shumë vota nga shqiptarët dhe madje edhe nga burgjet!

Pse ndodh kjo? Sepse në Shqipëri votohet si në luftë. Më saktë në Shqipëri voton mafia e numëron kryemafia. Tani kanë gjetur dhe modelin bullgar. I jepet një personi jashtë qendrës në fletë votimi fallco dhe më pas personat në vijë nxjerrin te votuesi I radhës fletën që kanë marrë nga komisioni. Por ka shumë raste që “skllevërit” dashurohen me skllavopronarin. Askush, as evropianët, as qytetarët shqiptarë nuk e kanë mendjen te demokracia dhe liria. Madje janë vetë skllevërit që e duan aq shumë skllavopronarin e tyre. Rama është pjesë e një projekti europian të mbështetur fuqishëm nga liderë anti-shqiptarë me Emmanuel Macron në krye. Edhe pjesë e projektit të Soros e sërishmi të Macron për zhbërjen e kombit shqiptar! Menjëherë pas zgjedhjeve do të vijnë në Tiranë shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të Europës. Rama është mikpritësi i tyre. Ky akt është parashikuar me kohë, me qëllim që ky samit të certifikojë “fitoren” manipuluesit më të madh të njohur, Edi Ramës. Sepse ky Edi Rama u duhet atyre e sidomos presidentit francez, për ta përdorur kundër Kosovës dhe për të çuar deri në fund politikën e shpopullimit të shqiptarëve në Shqipëri, shoqëruar me politikën e kolonizimit me aziatikë dhe afrikanë të saj.

Në Shqipëri nuk lejohet të zhvillohet “patriotizmi”! Vetëm simbolika e patriotizmit lejohet dhe këtë simbolikë e luan me mjeshtri Edi Rama. Fjalimet e tij, përdorimi i simboleve kombëtare, gjithçka që trullos njerëzit, bën pjesë në manualin e retorikës “patriotike” të Ramës. Në fakt qëndrimet e tij për Kosovën dhe shpopullimi e kolonizimi me të huaj i Shqipërisë janë prova e shërbimeve që ai bën në interes të armiqve të kombit shqiptar. Shqipëria shpopullohet, shtëpia boshatiset, e “të zotit të shtëpisë” i shtohen votat! Paradoks që ndodh vetëm në vendin tone të çudirave!

Por Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe as shqetësim për “anëtarët e familjes” shtetërore. Sepse ka qenë gjithmonë indiferent edhe ndaj familjes së vet të ngushtë. Interesi i vetëm i tij është fama, prestigji dhe lavdia personale, e shprehur kjo me fushatën e tij “për t’u takuar me historinë”! Eshtë pra pushteti e paraja! Për këtë i mjafton fasada, mashtrimi dhe demagogjia. Nuk ka rëndësi që shqiptarët janë më të varfrit në Evropë. As ajo se ekonominë e financat i ka shtënë në duart e mafies dhe të bandave kriminale. Nuk ka rëndësi çfarë emri ka shteti, një narko-shtet apo ajo është demokraci! Rëndësi dhe vlerë ka, nëse respektohet Padishahu nga evropianët! Dhe në fakt respektohet. Kështu shqiptarët ushqehen me respektin ndaj liderit. Ndërkohë që kanë pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon! Për këtë votuan shqiptarët, sigurisht nën presionin e bandave kriminale, të patronazhistëve, të administratës shtetërore dhe të minibandave të pushtetit si p.sh Bela-banda, Balla-banda, Klosi-banda, banda e mamicës, dhe e shumë të tjerëve.

Me këto zgjedhje, së paku mos besoni më te retorika dhe shpresat për demokraci, liri e barazi! Mos u bëni hipokritë, as iluzionistë! Nuk ka më as demokraci, as liri, as barazi! Përgatituni për të rrit numrin e skllevërve dhe të të robëruarve! Liria dhe demokracia si nocione kanë qenë thuajse të huaja për shqiptarët. Pas shembjes së regjimit komunist u duk se do të ringjalleshin. Por quajeni se keni parë një ëndërr të bukur, e cila nuk ka të bëjë aspak me realitetin shqiptar! Stabilokraci do të ketë, sa kohë që skllevërit do të rrinë në gjunjë përpara skllavopronarit! Kështu ka ndodhur edhe në kohën e diktaturës komuniste!

About Redaksia

Check Also

Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!

Nga Enver BYTYÇ! Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. …