Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat, tha me tone të ashpra se, Edi Rama nuk do ta gëzojë mandatin e tij të ri, duke e akuzuar për një “masakër elektorale” dhe një “farsë të turpshme zgjedhore”.
Berisha theksoi se, rezultatet janë të fabrikuara në mënyrën më të paimagjinueshme dhe paralajmëroi ndëshkim ndërkombëtar ndaj asaj që e cilësoi si batërdi zgjedhore.
“Unë e thashë këtë, ato janë që të gjitha rezultate të fabrikuara në mënyrën më të turpshme, më të paimagjinueshme. Por ato do të marrin ndëshkimin ndërkombëtar.
Beteja është e hapur në të gjitha frontet.
Garantoj që shpejt do të jetë dita, kur ambasadat e narkodiktatorit do rrethohen në të gjitha kryeqytetet e vendit, nga populli që iu shkelmua vota.
E ky është vetëm një hap.
Pra, Edi Rama ka shpalosur armiqësinë më të egër ndaj lirisë dhe votës së lirë të shqiptarëve.
Unë kam bindjen më të thellë se këtë mandat nuk do ta gëzojë dhe se, ai do të përgjigjet do të përgjigjet deri më një, për këtë masakër elektorale, batërdi elektorale që kreu, për këtë farsë të turpshme elektorale që bëri haptas, pa asnjë kufizim”, tha Berisha.