Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një tjetër deklaratë për media ka akuzuar mazhorancën për manipulime masive me votën e emigrantëve, duke theksuar se rezultati në kutitë e votimit është “i gatuar nga kriminelë elektoralë të PS-së” dhe nuk përfaqëson vullnetin e lirë të shqiptarëve në diasporë.
Berisha deklaroi se opozita disponon të dhëna të sigurta mbi manipulimet monstruoze të ndodhura në Greqi, Itali – veçanërisht në Romë – dhe në disa zona të tjera, ndërsa shtoi se e njeh edhe mekanizmin e këtij mashtrimi.
“Qëndrimi ynë është ky; ne kemi të dhëna të sigurta, të manipulimeve monstruoze që janë bërë me votën e emigrantëve në Greqi, në Itali, në Romë veçanërisht dhe disa zona të tjera, por edhe në ndonjë vend tjetër.
Ne kemi të dhëna, kemi dhe mekanizmin, por ne po ndjekim procesin, sepse ndjekja e procesit, çka do të thotë; qëndrimi në proces është një domosdoshmëri që buron nga respekti për ligjin dhe shtetin ligjor.
Kurse rezultati në kutitë e votimit është i tëri i gatuar nga kriminelë elektoralë të PS-së dhe nuk ka asgjë të bëjë me vullnetin e lirë të shqiptarëve në diasporë. Kjo është e vërteta!”, tha Berisha.