Analisti Fatos Lubonja ka komentuar ngjarjet e ngjeshura të javës në Shqipëri, përfshirë zhvillimin e etapës së Giro d’Italia, zgjedhjet dhe Samitin e liderëve të Bashkimit Europian, duke ngritur akuza ndaj mënyrës se si kryeministri Edi Rama përfaqëson vendin.
I ftuar në studion e News 24, Lubonja theksoi se, vendi po drejtohet si “parti-shtet”, ku pushteti përfaqësohet nga një njeri i vetëm. “Këta liderët e BE vijnë këtu dhe ylli i Samitit është logoja e Ramës në fushatë. Sikur jemi partia-shtet, duket sikur vijnë e takojnë Xi Jin Ping-in”, tha ai, duke e krahasuar qeverisjen me atë të një regjimi autoritar.
“Europa e përdor Shqipërinë për interesat e saj”, u shpreh ai, duke shtuar se shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i varësisë ndaj ndërkombëtarëve. Lubonja theksoi se, sa më shumë zullume që ndodhin, aq më shumë e thellon pushtetin Rama, duke krijuar një realitet ku kontrolli politik dhe propagandistik mbulon problematikat serioze të vendit.
Lubonja: E shoh si skenar, që këtë javë ka qenë Giro d’Italia, zgjedhjet dhe Samiti. Këta liderët e BE vijnë këtu dhe se ylli i Samitit ishte ajo logo, që dilte Rama në fushatë elektorale. Sikur jemi partia-shtet, sikur vijnë e takojnë Xi Jin Ping. Rama, duket si partia-shtet që përfaqëson Shqipërinë. Sa më shumë zullume, aq më thellë fiton Rama. BE angazhohet për shtet të së drejtës, e këtu është narko-shtet, duke ngritur kulla e bëjnë sikur nuk i shikojnë. Europa e përdor Shqipërinë për interesa të saj. Duhet të çlirohemi nga kompleksi i ndërkombëtarëve.