Lideri i opozitës Sali Berisha, gjatë deklaratës për media ka paralajmëruar se opozita po sensibilizon komunitetin ndërkombëtar për farsën zgjedhore që ndodhi më 11 maj, duke theksuar se raportet e dërguara janë vetëm një pasqyrë paraprake e procesit dhe nuk përmbajnë asnjë informacion të ri.
Berisha ka akuzuar qeverinë dhe strukturat e sigurisë për shkeljen e parimeve themelore të zgjedhjeve të lira dhe për përdorimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për aktivitete të paligjshme, duke e quajtur këtë një shkelje të rëndë ligjore.
“Asnjë letër nuk është dërguar. Letra është letër, raporti është raport.
Është një raport paraprak, që është shpërndarë në një numër adresash në Europë dhe SHBA.
Një raport fare paraprak, i cili nuk ka asnjë gjë tjetër përveçse këtyre që u them unë këtu, asnjë paragraf, asnjë rresht tjetër.
Ne po sensibilizojmë komunitetin ndërkombëtar për farsën zgjedhore që ndodhi me 11 Maj.
Ky është objektivi i punës tonë dhe ne do ia dalim.
Pavarësisht nga rrethanat, por askush nuk mund të shkelmojë parimet themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat u shkelën së bashku me vullnetin e qytetarëve shqiptarë në mënyrën më të pamëshirë…
…E kam deklaruar unë që dy zëvendësdrejtorët e shërbimit sekret kanë marrë detyrë, unë mund të thosha drejtoresha, por jo, nuk them për atë, janë dy zëvendësdrejtorët që kanë marrë të gjithë regjistrat dhe kartelet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, aq sa kanë mbetur, se një pjesë nuk janë, dhe i kanë aktivizuar, në kundërshtim me çdo ligj.
E kam thënë publikisht këtë.
Unë e kam thënë këtë fill pas zgjedhjeve.
Nuk ka asnjë sekret ndaj jush”, tha Berisha.
