Drejtuesi politik i PD për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e strukturave të PD-së në njësinë nr. 9 të kryeqytetit.
Në një postim në Facebook, Këlliçi falenderon veçanërisht kryetaren e degës, Eda Grimci, si dhe dy kandidatët Dhurata Çupi dhe Edith Harxhi, për angazhimin e tyre të palodhur në një garë që ai e cilëson si të pabarabartë dhe të manipuluar.
Postimi
Dëshiroj sot të shpreh një falenderim të veçantë për demokratët e degës Nr. 9 [🙏🏻]
Duke nisur me kryetaren, të palodhurën Eda Grimci dhe kandidatet tona, dy zonjat e nderuara Dhurata Çupi dhe Edith Harxhi, duke vazhduar me shtabin e degës dhe të gjithë trupën elektorale që dhanë kontributin e tyre me një sakrificë të jashtëzakonshme, në një garë të pabarabartë dhe të padrejtë që u provua të ishte thjesht një farsë elektorale!
Sigurisht që rezultati nuk i reflekton përpjekjet tona të përbashkëta. Përballë kishim një makineri të tërë shtetërore që përdori çdo burim në dispozicion për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Që nga burimet shtetërore dhe ato financiare të krimit të organizuar e duke vazhduar me mbushjen e kutive me vota me ngjyra të ndryshme, të ardhura me ‘Trenin Bullgar’.
E megjithatë, vetë ekzistenca juaj si faktorë të lirë në politikë, jep shpresën se Shqipëria do meritojë zgjedhje të lira e të ndershme, si mekanizmi i vetëm demokratik për ndryshim.