Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar një rast tejet të rëndë diplomatik, ku i përfshirë është ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se ministri Igli Hasani po u bën presion vëzhguesve ndërkombëtarë, një përpjekje që sipas kryedemokratit, është bërë me qëllim, deformimin e raportit të vëzhguesve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Berisha tha se, vëzhguesve ndërkombëtare u kërkohet llogari nga pala që ka krijuar farsën, ndërsa parlajmëroi Edi Ramën të ndalë këtë përpjekje dhe kërcënim.
“Por një gjë u them shqiptarëve, sado dëshpëruese që është kjo farsë, kjo dallon sepse kjo farsë është e vetmja në histori që është dënuar përpara se të zhvillohet.
Për të gjithë ata të cilët i thonë të vërtetës të vërtetë dhe lexojnë rezolutën e Valencias, gjejnë se komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë në Europë e denoncoi këtë farsë para se të zhvillohej.
Pra beteja kundër kësaj farse vazhdon me të gjithë forcën dhe përpjekjen.
Por në këtë rast kemi të bëjmë me një fushatë tashmë të dënuar para se të mbyllet.
E merrni vesh ju pse hidhej Zeqineja nga dega në degë?
Del se kishin porosi që Zeqineja duhej të futej në parlament. Ishte Sara Mile e Fierit.
Pra, unë këtu para jush dua t’u them shqiptarëve se kjo farsë është një fatkeqësi e madhe kombëtare.
Por kjo farsë ka vetëm një rrugëdalje, qëndresën e tyre.
Sepse kjo farsë është e dënuar ndërkombëtarisht para se të zhvillohej.
Dhe se për çdo akt qëndrese, shqiptarët kanë mbështetjen e fuqishme të të gjitha forcave politike të qendrës së djathtë që dënuan këtë farsë para se të mbyllej.
Ndaj dhe erdha edhe njëherë këtu të theksoj dimensionin monstruoz të krimit në këto zgjedhje,me fakte, me dokumente.
Këta janë deputetë të krimit që morën së bashku, vetëm këta të katër që citova, 80 mijë vota.
Pa llogaritur të tjerë si Zeqineja. Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen.
Rruga e vetme është qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Ne qëndrojmë për krijimin e një qeverie teknike sepse me Edi Ramën ka vetëm farsë, nuk ka zgjedhje.
Dhe dënojmë me forcën më të madhe presionet e narkozyrtarëve shqiptarë ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë.
Igli Hasani, paturpësisht thërret në zyrë vëzhguesit dhe u kërkon llogari për raportin.
A mund të imagjinoni ju? Vëzhguesve ndërkombëtare t’u kërkojë llogari pala që ka krijuar farsën.
E dënoj me forcën më të madhe aktin e tij dhe jo më pak të Edi Ramës dhe kërcënimet e tij”, tha Berisha.
Gazeta RD