Nga Basir ÇOLLAKU
Që nga sot u rihap tuneli i Llogarasë. Pa pagesë deri në 15 shtator. Dmth qeras qeveria. Normal. 180 milionë euro i ka gëlltitur ky tunel 6-kilometërsh. 30 milionë euro për km…Nga buxheti i shtetit. Dmth nga xhepat tanë…
Për të shmangur çdo subjektivizëm apo anësi, (kosto e ulët, kosto reale, kosto e fryrë), për efekt krahasimi po u referohemi kostove të disa tuneleve në kontinent e rajon, me të njëjtën gjeomorfologji, shkëmbore:
Tuneli Laerdal, Norvegji
24.5 km, (po, po, 24 km e gjysëm). 142 milionë e 944 mijë euro.
Tuneli Nordoyatunnilin, Danimarkë
6.2 km i gjatë. 395 milionë korona daneze, ose 52 milionë, 941 mijë e 613 euro.
Le të afrohemi në rajonin tonë.
Tuneli Sozina në Mal të Zi
4.2 km. 70 milionë euro.
Tuneli Mala Kapela në Kroaci
Pjesë e autostradës europiane A 1. 5.8 km. 787 milionë e 500 mijë kuna kroate, ose 98 milionë, 437 mijë e 500 euro.
E thënë ndryshe tuneli llogaratas ka kushtuar 30 milionë euro për km, ai norvegjez 5 milionë e 750 mijë euro për km, ai danez 8 milionë e 820 mijë euro për km, ai malazez 17 milionë euro për km, ndërsa ai kroat 16 milionë e 400 mijë euro.
Krahasuar me 30 milionë eurot për km të tunelit të Llogarasë, me siguri norvegjezët, danezët, por dhe malazezët e kroatët i kanë ndërtuar tunelet e tyre jo me fonde publike dhe me firma konzraktore e nënkontraktore, por me punë vullnetare dhe me aksione rinore me goditje të përqendruar…