Dorian Teliti, anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë ka paralajmëruar kryetaren në detyrë të bashkisë Tiranë Anuela Ristani se do përgjigjet para ligjit për prerjen e një sipërfaqeje të madhe pemësh në Parkun e Liqenit ku do mbahet një koncert i Noizy-t.
I ftuar në MCN ai tha se vendimi nuk ka kaluar në Këshillin Bashkiak.
“Zero informacion, absolutisht nuk ka kaluar në Këshillin Bashkiak. Është vendimmarrje e vetë Autoritetit Ekzekutiv të Bashkisë së Tiranë pa pyetur, pa diskutuar dhe pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, se po flasim për tjetërsim të përdorimit të pronës. Ishte pronë publike, shohim do keqpërdoret për një aktivitet biznesi për të kryer koncerte si i datës 30, i atij që i bëri fushatën e tallavasë kryeministrit. Është në shkelje totale të ligjit. Ishte surprizë për ne, por jo aq shumë sepse këto shkelje i kemi parë të bëhen gjatë 12 viteve të fundit.
Fatkeqësisht dhe ajo kurorë e gjelbër po kafshohet nga godina, pallate dhe kulla, vazhdon të kafshohet përzëri në zemër të parkut të liqenit që në vend që të shtonin gjelbërimin e Tiranës, shkojmë ndërtojmë dhe i kthehemi dhe anës tjetër për të kryer aktivitete tregtare. Kush e ka marrë vendimin? Do e zbardhim këto ditë, por normalisht autoriteti më i lartë i Bashkisë Tiranë duke filluar që nga kryetari i bashkisë se Këshilli Bashkiak nuk e ka marrë këtë vendim.
Automatikisht autoriteti tjetër është kryetarja e bashkisë. Kryetarja e bashkisë do dalë dhe do mbajë përgjegjësi ligjore sa i përket fakti që si është e mundur që një zonë 40 mijë m2 merret. Jemi në kuadër të shkelje të madhe ligjore që ne do ta ndjekim dhe do ta zbardhim dita ditës me ato mundësi që kemi. Sot është data 25 maj dhe nesër është dita e fundit që duhet lajmëruar mbledhja e Këshillit Bashkiak për muajin maj.” – tha Teliti.