Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar zgjedhjet si një farsë elektorale dhe duke hedhur poshtë çdo pretendim se opozita mund të konsiderohet fituese në një proces që, sipas tij, ishte i deformuar nga manipulimi dhe terrori politik.
Në konferencën me gazetarët, Berisha theksoi se forumet e PD janë më aktive se kurrë dhe po zhvillojnë një analizë të thellë të situatës, ndërsa paralajmëroi se do të merren vendime pas përfundimit të betejës për ndërgjegjësimin e publikut dhe komunitetit ndërkombëtar mbi atë që e konsideron një proces tërësisht të manipuluar.
“Forumet janë aktive më shumë se kurrë sot.
Po merren me analizën e gjithanshme të farsës.
Do përfundojë lufta për ndërgjegjësimin e Shqipërisë dhe botës për farsën elektorale dhe do merren të gjitha vendimet.
Kjo është një parti demokratike, e cila ka faktuar që ka të gjitha atributet e një force demokratike.
Por, ta harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët apo demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita.
Farsa elektorale nuk fitohet nga opozita.
Dhe ata të cilët duan apo rreken të provojnë këtë, ata injorojnë efektet e arrestimit në vitin elektoral të liderëve të tre partive kryesore apo ndjekjen penale si dhe deputetëve. Pra injorojnë terrorin politik.
Ata injorojnë shtetin elektoral i cili shpërndau në këto zgjedhje 100 euro për 48 përqind të votuesve, zgjedhësve, pensionistëve.
I cili fali me vendim qeverie 200 milionë euro gjoba dy ditë para zgjedhjeve.
I cili shndërroi punonjësit e administratës në patronë të votuesve skllevër që i kontrollonin dhe që ngritën në mbarë vendin zyrat paralele të qendrave të votimit.
Injoron përdorimin e mijëra lejeve të legalizimit, licencave, certifikatave të pronësisë dhe lejeve të ndërtimit për vota.
Të gjitha në kundërshtim me ligjin.
Injoron përdorimin e 500 milionë eurove për prokurime të paligjshme publike.
Injoron organizimin e 4500 ngjarjeve, më shumë se tre vite e gjysmë të marra së bashku, për të ndikuar zgjedhësit.
Injoron, këndon këngën e Pojës, Suel Çelës dhe efektet e tyre.
Ndaj dhe unë e kuptoj që Edi Rama, mediat që e mbështesin atë janë thellësisht të interesuar të gjejnë çdo pretekst për të mbuluar farsën. Po dielli me shoshë nuk mbulohet me asgjë. Kjo është përgjigjja ime”, tha Berisha.