Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në Qarkun e Tiranës. Ky nuk është një qëndrim thjesht politik, por një reagim i bazuar në një analizë të thelluar të shkeljeve sistematike dhe të dokumentuara, të cilat kanë minuar seriozisht legjitimitetin e këtij procesi.
Në një reagim të përfaqësuesit ligjor të PD-së Franc Nuri bëhet e ditur se PD do kërkojë në Kolegjin Zgjedhor pavlefshmëri të plotë të procesit zgjedhor në këtë qark. Kjo kërkesë do të paraqitet me prova të shumta ligjore përpara Kolegjit Zgjedhor.
Qarku i Tiranës, më i madhi në vend me 37 mandate, u kthye në vatër të shkeljeve zgjedhore masive. Episodet më të rënda u regjistruan ditën e votimit në zonën e Vorës, ku qendra të tëra votimi u bllokuan nga individë me precedentë penalë, të njohur si “të fortë lokalë”, të cilët ishin pajisur në mënyrë të dyshimtë me badge zyrtare vëzhguesish nga KQZ.
Këta persona ishin vendosur përpara qendrave të votimit, duke ushtruar presion të hapur dhe intimidim mbi votuesit. Nuk munguan as përplasjet fizike me eksponentë të lartë të PD-së, të dokumentuara nga media dhe dëshmitarë. Këto nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një skeme të qëllimshme për të deformuar vullnetin e zgjedhësve kudo në Qarkun Tiranë.
“Tiranës i mungoi integriteti zgjedhor edhe për shkak të përdorimit të paligjshëm dhe masiv të rrjetit të patronazhistëve. Ishin të shumta rastet kur opozita denoncoi në kohë reale zyrat ilegale elektorale të PS-së, nga të cilat dilnin me vrap punonjës të administratës dhe militantë të PS-së, të cilët më pas fshiheshin nga kamerat. Këto fenomene u regjistruan në disa zona, si te “Petro Nini Luarasi”, në Astir, apo sinjalizimet për zyra të ngjashme pranë kompleksit “Delijorgji”, në Don Bosco, por edhe në Njësinë nr. 8, duke ndikuar drejtpërdrejt në drejtësinë e garës elektorale.
Një tjetër problem serioz u evidentua në KZAZ nr. 40 (Njësia 9), ku u konstatuan fletë votimi me ngjyra të ndryshme dhe cilësi të ndryshme letre, dukshëm të dallueshme me sy të lirë dhe me prekje. Në këtë zonë u evidentuan edhe raste të dyshimta me fletë votimit të palosura të gjitha njësoj, çka forcon bindjen për dyshime mbushje kutish apo për përdorimin e metodës së njohur si “treni bullgar”, si teknika të manipulimit zgjedhor.
Po në të njëjtën linjë është edhe rasti i rëndë në KZAZ nr. 30 në Kashar, ku u dhunua sekretari i KZAZ-së i propozuar nga PD, gjatë procesit të numërimit të votave, nga persona të lidhur me pushtetin. Mediat raportuan gjithashtu për një çantë të mbushur me para, e gjetur brenda perimetrit ku ndodhej KZAZ në fjalë, duke ngritur dyshimet për tentativa serioze të blerjes së votës.
Raste problematike janë raportuar gjithashtu në Babrru, tek shkolla “1 Maji”, apo në Kamëz, si dhe zona të tjera periferike të Tiranës. Në disa qendra votimi u identifikuan fletë të mbushura me të njëjtën dorë, çka forcon më tej dyshimet për manipulime në masë.
Po ashtu, një ndër elementët më shqetësues mbetet shpallja e mbi 17,000 votave si të pavlefshme në të gjithë Qarkun e Tiranës. Kjo shifër përbën një anomali të rëndë, që mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final, përfshirë edhe në garën për mandatin e 14-të mes PD–ASHM dhe subjektit të z. Agron Shehaj.
Sipas udhëzuesit të miratuar nga Rregullatori pranë KQZ-së, ekzistojnë mbi 50 raste specifike për përcaktimin e vlefshmërisë ose pavlefshmërisë së një flete votimi. Çdo devijim nga këto standarde, çdo shpallje e qëllimshme e pavlefshmërisë së ndonjë flete votimi, veçanërisht në zona ku mbështetja për PD–ASHM ishte e lartë, përbën një akt të paligjshëm dhe një goditje të qëllimshme ndaj opozitës’ thuhet në ankim.
Ankimi ynë në KQZ dhe më tej në Kolegjin Zgjedhor do të jetë për pavlefshmërinë e plotë të zgjedhjeve në Qarkun e Tiranës do të përfshijë të gjitha këto problematika, përfshirë:
• procesverbale me mospërputhje flagrante;
• fletë votimi të dyshuara si të falsifikuara ose të printuara jashtë standardit;
• përdorim sistematik të patronazhistëve për kontroll elektoral;
• prezencë të “të fortëve” dhe dhunë në afërsi të qendrave të votimit;
• votim familjar dhe dyshime për votim të shumëfishtë;
• kamera sigurie të fikura ose me pamje të ndërprera në qendra kyçe;
• kuti votimi të konsideruara problematike, me kode sigurie të cenuara.
Ne nuk kërkojmë trajtim preferencial. Ne kërkojmë respektim të ligjit, transparencë të plotë dhe rivendosje të integritetit të votës si themel i demokracisë.
Në përfundim, theksojmë qartë:
PD–ASHM nuk e njeh rezultatin e shpallur në Qarkun e Tiranës nga KQZ. Ne nuk kërkojmë rinumërim votash, por pavlefshmëri të plotë të procesit zgjedhor në këtë qark. Kjo kërkesë do të paraqitet me prova të shumta ligjore përpara Kolegjit Zgjedhor. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë betejë, për të mbrojtur një parim themelor: vota e qytetarit shqiptar nuk blihet, nuk frikësohet dhe nuk tjetërsohet.