PD-ASHM kërkesë KQZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Beratit

Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve një kërkesë zyrtare për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në të gjithë Qarkun e Beratit. Në kërkesën e dorëzuar pranë KQZ-së, PD kërkon rrëzimin e tabelës përfundimtare përmbledhëse të rezultatit zgjedhor në këtë qark, duke argumentuar se procesi ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme nga pushteti.

Sipas Partisë Demokratike, procesi zgjedhor në Berat është zhvilluar në kushte të pabarabarta, të dominuara nga përdorimi i burimeve publike dhe presioni mbi votuesit, duke u kthyer, sipas saj, në një farsë që deformoi vullnetin e qytetarëve.

Pretendimet kryesore të PD për rrëzimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit në Berat:

Blerja e votës përmes bonuseve dhe përfitimeve shtetërore:

PD akuzon mazhorancën se ka blerë vota në Qarkun Berat duke shpërndarë bonuse, ndihma ekonomike dhe favore të tjera shtetërore në periudhën zgjedhore. Sipas PD, këto veprime përbëjnë shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në vullnetin e zgjedhësve. Raporti i OSBE/ODIHR i datës 12 maj 2025 thekson se përdorimi i burimeve publike nga partia në pushtet krijoi një avantazh të padrejtë në garë.

Vendosja e shtetit në shërbim të Partisë Socialiste:

Në kërkesën e saj, PD pretendon se e gjithë struktura shtetërore në Berat, nga bashkitë e deri te drejtuesit lokalë të administratës, u përdor për qëllime elektorale. Janë përmendur me emra kryebashkiakë dhe drejtues lokalë të PS që, sipas PD, shkelën vendimin nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator duke ndërmarrë aktivitete të ndaluara gjatë fushatës. Janë paraqitur gjithashtu edhe kallëzime penale për raste të caktuara.

Roli kriminal i patronazhistëve të PS-së:

Partia Demokratike denoncon përdorimin e një rrjeti të mirëorganizuar patronazhistësh që kanë ndjekur dhe ushtruar presion mbi votuesit në qendra votimi në Berat, përmes listave me të dhëna personale, mbikëqyrjes së procesit të votimit, dhe nxitjes për të fotografuar votën. PD e cilëson këtë një sistem kriminal të kontrollit elektoral.

Investime publike në funksion elektoral:

Sipas denoncimeve të PD, gjatë periudhës para zgjedhjeve janë realizuar projekte infrastrukturore të pamiratuara ligjërisht apo pa tabela treguese, të cilat synonin të blenin votat e banorëve në zona të varfra si Skrapari, Poliçani, Malinati apo Morava. Përmendet edhe inaugurimi i urës në fshatin Bilçë nga Kryeministri Rama gjatë fushatës, i konsideruar nga PD si një veprim në shkelje të barazisë zgjedhore.

Image

About Redaksia

Check Also

E vërteta e restaurimeve në ish-burgun e Spaçit, Lubonja zbulon prapaskenat e Ministrisë

Publicisti dhe ish-i burgosuri politik, Fatos Lubonja, ka reaguar me tone të forta nga ish-burgu …