‘Projekti synon të krijojë një hapësirë me përdorim të përzier ku të integrohen aktivitetet edukative për kurrikulat shkollore, kërkimi dhe zhvillimi, prodhimi i produkteve, duke shërbyer kështu si shembull i tregut të ‘Vlerës së Shtuar’ për ciklet ekonomike, i cili gjithashtu ofron shërbime në fushën e turizmit me temë agrare, ku në një mikrohapësirë zhvillohet i gjithë cikli i plotë i përdorimit efektiv të burimeve njerëzore dhe territoriale dhe duke zbatuar edhe strategjinë dhe parimet e zhvillimit rajonal,’ thuhet në dokumentat e tenderit.
Aktualisht Ferma Didaktike Eksperimentale në pronësi të Universitetit Bujqësor është në gjendje të degraduar, me shumë nga ndërtesat që janë jashtë përdorimit.
Por me projektin e ri të qeverisë kjo fermë do të ndryshojë tërësisht. ‘Organizimi i përgjithshëm i fermës do të jetë në te njëjtën hapësire territoriale siç ndodhet edhe sot. Strukturat e vjetra te betonit do te shemben dhe do te zëvendësohen me struktura te reja metalike,’ thuhet në dokument.
Por çfarë do të përmbajë ferma e re?
Sipas projektit, njëra nga godinat do të shërbejë si bankë gjenetike, ku do të ruhen farat e bimëve të ndryshme në kushte optimale. Por risi në këtë kompleks ferme do të jetë ndërtesa, e cila do të shërbejë si hotel për kafshë shtëpiake dhe qendër veterinarie.
Fondi i Zhvillimit zbulon se pjesë e hotelit do të jënë dy hapësira për relaksimin e kafshëve, një për mace dhe një tjetër për qen. Këto dy zona kane në total një hapësire prej 35 m2. Gjthashtu, në zonën e hotelit janë parashikuar edhe ambientet e stafit, si kuzhinë, tualet etj.
‘Akomodimi i kafshëve është i ndare ne dy zona të veçanta. Zona deluxe, e cila përbëhet nga gjashtë dhoma individuale për qen dhe katër dhoma individuale për mace dhe zona e dytë është ajo standard. Kjo zonë përbëhet nga 24 ambiente të vogla individuale,’ thuhet në dokumentet e tenderit.
Veç bankës gjenetike dhe hotelit të qenve, Ferma e re do të përmbajë stalla për lopët, të imtat si dhe disa laboratorë, ndërkohë që projekti arkitekturor i kompleksit është bërë nga studio Casanova-Hernandez.