Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu I cilësoi se zgjedhjet e 11 majit u shoqëruan me shkelje të rënda dhe manipulime të qëllimshme nga strukturat e Partisë Socialiste.
I ftuar në emisionin Task Force, ai deklaroi se PS ka pasur akses të paligjshëm në të dhënat personale të qytetarëve të siguruara nga KQZ, të cilat janë përdorur për qëllime elektorale. Sipas Logut, këto të dhëna janë shpërndarë në mënyrë të organizuar përmes rrjeteve të patronazhistëve, duke cenuar rëndë integritetin e procesit.
Logu veçoi rastin e Greqisë, ku ka ndodhur një farsë elektorale në kundërshtim të plotë me ligjin, përmes nënkontraktimit të ndaluar dhe shpërndarjes së paautorizuar të materialeve zgjedhore.
“Ata kanë pasur të gjitha të dhënat dhe kjo është e konfirmuar në shumë mënyra. Edhe denoncimet që kemi siguruar dëshmojnë se kemi arritur të zbulojmë mënyrën se si janë marrë këto të dhëna. Ato nuk janë marrë drejtpërdrejt nga KQZ-ja, por janë transferuar fillimisht te një person i tretë, i cili rezulton të jetë shumë i afërt me Partinë Socialiste dhe me interesa ekonomike të lidhura me qeverinë Rama. Më pas, ky person ka pasur mundësi t’i kalojë lehtësisht të dhënat te Partia Socialiste dhe rrjeti i patronazhistëve të saj.
Strukturat e PS-së kanë pasur çdo të dhënë që kishte në dispozicion KQZ-ja për çdo qytetar – madje, në shumë raste, edhe më tepër. Këto të dhëna janë përdorur për kryqëzim dhe analizë, duke cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor. Të gjithë elementët e sigurisë që ne kishim parashikuar për këtë proces rezulton të kenë dështuar.
Duke nisur nga rasti i Greqisë, ku shkelja e parë serioze ishte nënkontraktimi – një praktikë e ndaluar shprehimisht me shkrim – konstatojmë se pikërisht kjo ndodhi. Në vend që zarfi me materialet zgjedhore t’u dërgohej qytetarëve në adresën e tyre, siç ishte parashikuar, KQZ-ja njoftoi në rrjetet sociale (pa bërë asnjë ndryshim në kontratë) se kishte ngritur pika shpërndarjeje në qytete të ndryshme të Greqisë.
Qytetarët nuk ishin atje për të firmosur ndonjë peticion ata ishin atje për të votuar.
Aktualisht ndodhemi në fazën e identifikimit të të gjitha paligjshmërive dhe shkeljeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Pa asnjë dyshim, do të kërkojmë drejtësi dhe do t’i drejtohemi Prokurorisë për çdo individ që ka shkelur ligjin, pa përjashtuar askënd që ka guxuar të cenojë procesin zgjedhor”, tha Logu.