Është mbajtur këtë të mërkurë në GJKKO seanca e radhës për “Sterilizimin”, ku i pandehur është ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj.
Beqaj është shprehur se i ka kërkuar SPAK që ti japë vendimin e ish-krimeve të rënda, që sipas tij çështja për të cilën po gjykohet është hetuar më parë dhe është mbyllur nga prokuroria, ndaj pretendon se “parimi i gjësë së gjykuar” i jep pafajësi.
Ilir Beqaj: I kërkova SPAK të më japë një vendim të ish-krimeve të Rënda që e ka në arkivë. 5 herë e kam kërkuar, nuk ma dhanë, e mora tek kuvendi se ja kishin çuar komisionit hetimor. Ai vendim dhe vendimi i prokurorisë së Tiranës për mua janë pafajësi sipas parimit të gjësë së gjykuar, ka dhe vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë.
Ermal Yzeiraj, avokat i Beqajt: Gjyqtari paraprak ka shënuar disa herë nenin 334 në vendim, që sipas kodit penal, parashikon veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Këtë saktësim duhet ta kishte bërë prokuroria. Deri më sot akuza nuk është saktësuar nga prokuroria. Me shkrim e kemo shpërdorim detyre, me vendim e kemi vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukuruar kriminal duke shpërdoruar detyrën. Ne si mbrojtje jemi të paqartë.
Edvin Kondili, SPAK: Duhet të fokusohemi tek çështja e ndarjes së dosjes. Vendimi i gjyqtares paraprake i ka të pasqyruara të gjitha momentet. Gjyqtari paraprak, është ftuar prokurori që të bëhet ndryshimi i akuzës. Pavarësisht qëndrimit që kemi patur, dhe kemi shpjeguar faktin se nuk i kemi trajtuar njerëzit si sekonda, por kemi shpjeguar situatën e momentit. Parashikimet ligjore janë të tilla, gjyqtari sugjeron ndryshim akuze, prokurori nuk pranon, gjyqtari i kthen pas dosjen për plotësim hetimesh. Në këtë kontekst kemi menduar se do ishte situatë e pafundme ku ke të mos bindeshim dhe të shkonim me akuzën e parë e sërish të kthehej dosja, dhe për ta parandaluar këtë pranojmë ndryshimin e akuzës, natyrisht i pandehuri ka marrë njoftimin me këtë ndryshim e pasqyrim, nuk shohim ndonjë ngërç procedurial.
Ermal Yzeiraj: Në rast se na qenka procesverbali, nuk e bën prokuroria procesverbalin, por gjykata. I vetmi akt që bën prokurori është akuza. Është me rëndësi ta di tani, që të di se çfarë qëndrimi të mbajmë në vijim. Nuk kemi dakordësi për ndarje të çështjes.
Ilir Beqaj: ju referuat vendimit të gjyqtares paraprake, e keni faqen e parë të vendimit i nderuar prokuror. Lexoje faqen e parë, “Prokuroria e Posaçme, objekt dërgim në gjyq të çështjes ndaj Ilir Beqajt i akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Kërkova që është akt i pavlefshëm, dua të shoh kur e keni dërguar këtë kërkesë. Vendimi i gjyqtares fillon, kërkues spak, i akuzuar për vjedhje Ilir Beqaj këtë vendim nuk e kam parë kurrë, ju lutem këtë kërkesë ma vini në dispozicion. Ku është ky dokument, nuk është fare, nuk ekziston.
Më pas Gjykata e Posaçme u tërhoq në Dhomë Këshillimi për vendim lidhur me kërkesat për formën e gjykimit. Vetëm Ilir Beqaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm ndërsa të pandehurit e tjerë kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.