SHBA: Po minoni zgjedhjet e lira dhe po persekutoni opozitën

Samuel SAMSON/Departamenti i Shtetit

Marrëdhënia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës tejkalon afërsinë gjeografike dhe politikën transaksionale. Ajo përfaqëson një lidhje unike të formuar nga kultura e përbashkët, besimi, lidhjet familjare, ndihmesa reciproke në kohë vështirësie dhe, mbi të gjitha, trashëgimia e përbashkët e qytetërimit perëndimor. Partneriteti ynë transatlantik mbështetet në një traditë të pasur perëndimore të ligjit natyror, etikës së virtytit dhe sovranitetit kombëtar. Kjo traditë rrjedh nga Athina dhe Roma, përmes krishterimit mesjetar, deri te e drejta zakonore angleze dhe përfundimisht në dokumentet themeluese të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë, me pohimin revolucionar se njerëzit “janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme,” pasqyron mendimin e Aristotelit, Thomas Aquinas-it dhe figurave të tjera madhore europiane që e njihnin faktin se të gjithë njerëzit zotërojnë të drejta natyrore që asnjë qeveri nuk mund t’i mohojë. Amerika i detyrohet Europës për këtë trashëgimi intelektuale dhe kulturore. Kjo lidhje mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara është gjithashtu arsyeja pse flasim hapur kur nuk biem dakord ose kemi shqetësime—dhe është arsyeja pse Administrata Trump po jep alarmin në Europë. Kur Zëvendës Presidenti Vance foli në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë vit, ai e shprehu qartë shqetësimin: “Ajo që më shqetëson është kërcënimi nga brenda—tërheqja e Europës nga disa prej vlerave të saj më themelore—vlera që i ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Pas dy luftrave botërore shkatërruese, vendet europiane kërkuan të shmangnin katastrofat e ardhshme përmes krijimit të strukturave mbinacionale, që do të afronin kombet dhe do të mundësonin angazhim më të madh diplomatik dhe ekonomik. Mbështetësit e këtij rendi të ri, përfshirë partitë kristiane dhe pro-demokraci, kërkuan një transformim madhështor—një botë që do të kapërcente ndasitë kombëtare e fetare për të sjellë një epokë paqeje të paprecedentë. Duke kapërcyer kufijtë e kombësisë, kulturës dhe traditës, liberalizmi global premtoi atë që Francis Fukuyama e quajti “fundi i historisë,” inovacioni përfundimtar i jetës politike. Sot, ky premtim është rrënuar. Ajo që ka mbetur është një fushatë agresive kundër vetë qytetërimit perëndimor. Në gjithë Europën, qeveritë kanë përdorur institucionet politike kundër qytetarëve të tyre dhe kundër trashëgimisë sonë të përbashkët.

Larg forcimit të parimeve demokratike, Europa është kthyer në një qendër të censurës digjitale, migracionit masiv, kufizimeve të lirisë fetare dhe shumë sulmeve të tjera ndaj vetëqeverisjes demokratike. Këto prirje shqetësuese janë shtuar vitet e fundit. Në Mbretërinë e Bashkuar, policia po arreston të krishterë—si Adam Smith-Connor dhe Livia Tossici-Bolt—vetëm sepse luten në heshtje jashtë klinikave të abortit.

Në vitin 2023, mbi 12,000 qytetarë britanikë u arrestuan për postime online, përfshirë komente kritike ndaj krizës së migracionit në Europë, që autoritetet i cilësuan si “jashtëzakonisht ofenduese.”

Në Gjermani, qeveria ka ngritur sisteme të ndërlikuara për të monitoruar dhe censuruar fjalën online, nën pretekstin e luftës kundër dezinformimit. Kur qytetarët gjermanë shprehin shqetësime legjitime për pasojat ekonomike dhe shoqërore të globalizimit ose kritikojnë politikanë, rrezikojnë gjoba, stigmë si radikalë, madje edhe bastisje në shtëpi nga forcat e rendit.

Akti për Shërbimet Digjitale i Bashkimit Europian, që pretendohet se mbron fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme online, përdoret në fakt për të heshtur zërat kritikë përmes një moderimi përmbajtjesh në stil Orëellian.

Rregullatorë të pavarur tani kontrollojnë kompanitë e mediave sociale, përfshirë platformat amerikane si X, dhe kërcënojnë me gjoba të mëdha për moszbatim. Ky ambient ndikon edhe në zgjedhjet në Europë. Siç e theksoi së fundmi Sekretari Rubio, partia e njohur Alternative für Deutschland u shpall “organizatë ekstremiste” nga inteligjenca gjermane, çka mund ta përjashtojë nga procesi zgjedhor.

Kandidatja kryesore për presidente e Francës, Marine LePen, u akuzua për keqpërdorim fondesh dhe, ndryshe nga praktika standarde, u ndalua menjëherë nga gara.

Kufizime të ngjashme janë parë në Poloni dhe Rumani ndaj partive dhe politikanëve të caktuar. Ndërkohë, vende të krishtera si Hungaria etiketohen padrejtësisht si autoritare dhe shkelëse të të drejtave të njeriut.

Amerikanët i njohin këto taktika. Një strategji e ngjashme e censurës, demonizimit dhe përdorimit të burokracisë u përdor edhe kundër Presidentit Trump dhe mbështetësve të tij.

Kjo tregon se projekti globalist liberal nuk po e nxit demokracinë, por po e shtyp atë dhe trashëgiminë perëndimore bashkë me të, në emër të një klase qeverisëse dekadente që ka frikë nga vetë populli i saj. Shqetësimet tona nuk janë partiake, por parimore.

Shtypja e fjalës, lehtësimi i migracionit masiv, goditja e shprehjes fetare dhe minimi i zgjedhjeve të lira përbëjnë kërcënim për vetë themelet e partneritetit transatlantik. Një Europë që zëvendëson rrënjët e saj shpirtërore dhe kulturore, që trajton vlerat tradicionale si relike të rrezikshme dhe që përqendron pushtetin në institucione të pakontrolluara është një Europë më pak e aftë për t’u përballur me kërcënimet e jashtme dhe kalbëzimin e brendshëm.

Arritja e paqes në Europë dhe në botë nuk kërkon mohim të trashëgimisë sonë të përbashkët, por një ringjallje të saj. Sekretari Rubio e ka bërë të qartë se Departamenti i Shtetit do të veprojë gjithmonë në interesin kombëtar të Amerikës. Rënia demokratike në Europë ndikon jo vetëm tek qytetarët europianë, por gjithnjë e më shumë edhe në sigurinë dhe lidhjet ekonomike amerikane, si dhe në të drejtat e fjalës së lirë të qytetarëve dhe kompanive amerikane. Shpresa jonë është që si Europa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të rikthehen te trashëgimia jonë perëndimore, dhe që vendet europiane të ndalojnë përdorimin e qeverive për të goditur ata që përpiqen ta mbrojnë atë.

Nuk do të biem gjithmonë dakord për qëllimin apo taktikat, por veprimet konkrete nga qeveritë europiane për të garantuar mbrojtjen e fjalës dhe fesë, kufij të sigurt dhe zgjedhje të drejta do të ishin hapa të mirëpritur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj një partneriteti të fortë me Europën dhe punës së përbashkët për qëllime të jashtme të përbashkëta. Megjithatë, ky partneritet duhet të mbështetet mbi trashëgiminë tonë të përbashkët, jo mbi një konformitet globalist. Marrëdhënia jonë është tepër e rëndësishme, historia jonë tepër e vlefshme, dhe rreziqet ndërkombëtare tepër të mëdha për ta lejuar këtë partneritet të dëmtohet. Prandaj, në të dy anët e Atlantikut, duhet të ruajmë të mirat e kulturës sonë të përbashkët, duke siguruar që qytetërimi perëndimor të mbetet burim virtyti, lirie dhe mirëqenieje njerëzore për brezat që do të vijnë.

 

About Krye Redaktor

Check Also

PD reagon për deklaratën e Departamentit të Shtetit: Narkoshteti në shënjestër të SHBA-ve

PD përshëndet mesazhin e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE …