Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë me gazetarët, ku u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit 2025, të cilat i ka cilësuar vazhdimisht si një “farsë elektorale”, kanë marrë një ndëshkim të rëndësishëm ndërkombëtar nga Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI), organizata më e madhe politike globale që bashkon 108 parti të qendrës dhe qendrës së djathtë në të gjitha kontinentet, përfshirë Partinë Popullore Evropiane.
“Farsa elektorale 11 Maj 2025 në Shqipëri mori një ndëshkim madhor ndërkombëtar nga organizata politike më e madhe në botë e partive të qendërs dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës, e cila grupon së bashku 108 parti politike nga të gjithë kontinentet dhe që ka se sesion të saj në kontinentin evropian, Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj.
Kjo organizatë botërore në konferencën e asamblesë të përgjithshme të saj, të mbledhur dy ditët e fundit në Abixhan, kryeqytetin e Bregut të Fildishtë, miratoi me unanimitet të plotë, pa asnjë kundërshtim, rezolutën për farsën elektorale të 11 Majit në Shqipëri.
Në këtë rezolutë, Internacionalja Demokrate e Qendrës denoncon botërisht atë që ndodhi me një 11 Maj në farsën e vendit tonë.
Në denoncimin e saj, ajo bazohet mbi të gjitha në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Natyrisht ajo është ndihmuar edhe me materialet e paraqitura nga përfaqësuesit e PD në konferencën e kësaj organizate, që janë zonja Albana Vokshi dhe zoti Belind Këlliçi”, tha Berisha.