Edhe njëherë për “trenin bullgar”

Nga Iva V.GRILLO

KQZ paska hedhur poshtë mundësinë e “trenit bullgar” me arsyetimin se “nuk qënkan gjetur fletë votimi të papërdorura jashtë kutive”.

Por, fletët e papërdorura jashtë kutive të votimit nuk janë treguesi i vetëm i fenomenit: “treni bullgar”.

Përkundrazi, pasi votuesi i intimiduar apo i rënë dakord me patronazhistin futet në qëndrën e votimit me një fletë votimi të plotësuar në xhep (fleta mund të jetë nga një seri e vërtetë apo fletë votimi fallco), ai paraqitet tek komisioni për të marrë fletën e tij të votimit. Kjo bën që pasi fut në kuti fletën e plotësuar nga patronazhisti, ai të dalë nga qendra e votimit me një fletë votimi të papërdorur, e cila i jepet patronazhistit, i cili më pas ose e riciklon duke e plotësuar dhe dhënë votuesit të radhës ose e asgjëson në fund të manipulimit.

Pra në shumicën e rasteve, numri i fletëve në kuti është numri korrekt sepse fleta/fletët e papërdorura asgjësohen.

Teorikisht, edhe me një fletë të vetme, nëse e riciklon, mund të bësh një “tren bullgar” me infinit votash të manipuluara.

Për këtë arsye, argumentimi i KQZ për mohimin e “trenit bullgar”, nuk bën sens.

Në këtë proces zgjedhor ne kemi dy elementë që japin indicie të qarta për ekzistencën e manipulimeve me “trenin bullgar”:

1). Identifikimi i fletëve të votimit me tonalitete ngjyrash të ndryshme (këto fletë votimi të dyshimta mund të jenë fletët e kontrabanduara që kanë filluar zinxhirin e manipulimit). Për këtë duhen kontrolluar me kujdes seritë e fletëve të votimit nëpër kuti.

2). Ekzistenca e zyrave/grupeve të patronazhimit në afërsi të qëndrave të votimit-gjë që të bën të mendosh se mund të kenë qënë qendrat ku bëhej trafiku i votave të kontrabanduara (fakti që patronazhistët u larguan me vrap, duke mbledhur gjithë materialet e listat e votuesve është një element që rrit probabilitetin e kontrabandimit të votave të paraplotësuara në qendrat e votimit).

Por për të kuptuar se çfarë ka ndodhur duhen marrë nën hetim grupi i patronazhistëve që u larguan nga kamerat me kapuçat e zinj dhe çantat plot materiale…

 

About Redaksia

Check Also

Edi Rama si pronari i idiotëve

Nga Tomorr ALIZOTI E gjithë fuqia e tij vjen nga vjedhja e zgjedhjeve. Shumë analistë politikë …