Nga Eliona Kodra SHKRELI
Ja pra dhe e vërteta e madhe….
Gjatë fushatës elektorale, në një emision televiziv e deklarova se PS-PSD janë bashkë sepse kanë interesa të përbashkëta!
Politika vërtetë është ndonjëherë lojë marrëveshjesh por kurrsesi nuk duhet të jetë një lojë e ‘ndyrë’ për të çoroditur elektoratin dhe mes çoroditjes e manipulimit të mundohesh të marrësh qoftë dhe një votë plus.
Gjatë fushatës elektorale pamë një lojë të shëmtuar mes këtyre dy forcave politike të cilat idealet i kanë të njëjta….vjedhje të taksave të qytetarëve, buxhetit të shtetit dhe pasurim vetjak! Pamë akuza ndaj njëri tjetrit, madje deri aty sa PSD, përmes kreut të saj, deklaroi se nuk do bashkëpunojë kurrë me Benet Becin duke rreshtuar një sërë akuzash të rënda korruptive ndaj tij, të cilat në fakt për qytetarët dhe elektoratin nuk ishin të reja.
Lumi i akuzave vijoi rrjedhën e tij duke u derdhur kushedi se ku….u deklaruan shumë të vërteta të abuzimit përmes tenderave korruptivë por menjëherë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve Beci u bë sërish i mirë dhe i pastër nga çdo korrupsion deri aty sa përfaqësuesit e PSD-së në Këshillin Bashkiak të Shkodrës dolën në një deklaratë të qeshur e të lumtur duke “lidhur besën” sërish në mbështetje të PS-së e si rrjedhojë edhe të këtij Becit të krimit e të korrupsionit (siç vetë lideri i PSD e etiketoi gjatë fushatës elektorale).
Nuk bënë asgjë tjetër përveçse luajtën një teatër politik (si gjithmonë) të dalë boje tashmë, ku me urdhër të drejtuesit politik Beci u shkarkuan shumë drejtorë e punonjës të PSD-së e menjëherë më pas, PSD ‘mori masat’ për t’u hakmarrë e për të “treguar dhëmbët” duke bllokuar (medemek) projekt-vendimet e Becit në Këshillin Bashkiak deri pas 11 majit. Por e gjitha ishte vetëm një farsë mashtrimi për të krijuar polemikat tek qytetarët dhe votuesit rreth gjoja ‘ndarjes’ Rama-Doshi dhe Beci-Doshi, një farsë elektorale ku secili shprehte “ndershmërinë” ndaj votuesve.
PS-PSD kanë qënë dhe janë gjithmonë bashkë, sepse ndajnë interesa të përbashkëta. Ndërkohë që të dyja palët flasin në emër të interesit të qytetarit, në fakt ata i lidh bashkë vetëm interesi i pazareve dhe qytetari është për ta vetëm për t’a mashtruar me lugë bosh, me premtime e fasada që nuk realizohen kurrë. Qytetarit i ofrojnë në këmbim rritje të çmimeve dhe tkurrje të ekonomisë familjare dhe individuale për t’a lënë të braktisur në kufinjtë e mbijetesës ose për t’a larguar përfundimisht nga ky vënd në kërkim të shpresës në një shtet tjetër.
Rama-Doshi po qeverisin prej 12 vitesh, duke u bërë paterica e njëri-tjetrit në shumë raste. Pavarësisht se PSD nuk ka patur një karrige të zënë në qeverinë Rama, ka bashkëqeverisur në fshehtësi përmes pazareve, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin, secili në “habitatin” e vet.
Rama-Doshi janë dyshe e pandashme pasi i lidhin të njëjtat interesa, përfitimi personal dhe mbajtja e pushtetit me çdo kusht për të bashkëndarë të mirat monetare që pushteti jep. Ata nuk ndahen kurrë, paçka atyre çka thonë e deklarojnë. Pavarësisht se në fushata elektorale luajnë lojën e maces me miun, ata nuk ndahen kurrë sepse përfaqësojnë dy parti që në fakt idealet i kanë të njëjta.
Atyre nuk i intereson fare as Shkodra, as e mira e qytetarëve shkodranë e shqiptarë, atyre u intereson vetëm mbajtja e pushtetit me çdo çmim, e për aq kohë sa organet e ligjit nuk do veprojnë, ata do jenë bashkë, duke mbështetur njëri-tjetrin fort për hir të pazareve e marrëveshjeve korruptive. Ndërsa “divorcet” gjatë fushatës dhe “rimartesat” pas zgjedhjeve, janë thjesht një show për të mashtruar shqiptarët, një lojë e cila po përsëritet në disa zgjedhje duke u kthyer në veprime të pabesueshme dhe qesharake!
Qytetarët shkodranë nuk harrojnë se si në dy buxhetet Beci, përfaqësuesit këshilltarë të PSD-së në Këshillin Bashkiak, votuan në rresht në mbështetje të plotë buxhetet e turpit, miliona euro të cilat ndahen mes palëve për t’i mbyllur gojën gjithsecilit. Shkodra nuk harron se këshilltarët e PSD-së kanë bashkuar votat për të miratuar interesat hajdute e Becit përmes projekt-vendimeve, sigurisht në këmbim të përfitimeve korruptive të cilat i dinë vetëm ata.