Policia vullnetare apo milicia partiake?

Nga Bujar LESKAJ

Qeveria Rama ka vendosur se çdokush mund të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit nëpërmjet të ashtuquajturës Policia Vullnetare, ku çdo shtetas shqiptar mund të japi kontributin e tij vullnetar në radhët e Policisë së Shtetit.

Por sa i drejtë është ky vendim dhe përse po e merr këtë vendim ekzekutivi shqiptar?

Qartas lexohet se ky vendim lidhet me gradimin e rrjetit të patronazhimit që sekti Rama dhe kryetari i tij ndërtuan e konsoliduan këto vite ,si dhe finalizimin nëpërmjet këtij vendimi të ndërtimit të një rrjeti paralel për t’i mbajtur permanent patronazhistët, tashmë si një strukturë shtetërore dhe e ligjëruar, kurdoherë e gatshme të thirret “në armë”.

Me të drejtë, veprimtari i dalluar shoqëror dhe kryetari i një partie të vogël opozitare ,avokati Altin Goxhaj ishte i pari që denoncoi këtë aferë të rrezikshme për demokracinë, theksoi se akte të tilla i hapin rrugën instalimit të diktaturës dhe asgjësimit të pluralizmit, duke argumentuar se:

1.Vendimi për ngritjen e një strukture të këtillë padyshim cënon të drejtat e qytetarëve shqiptar, sepse këto struktura të ashtuquajtura vullnetare nuk përmbushin asnjë prej kritereve që duhet të ketë një punonjës Policie.

2.Informacioni dhe të dhënat që kjo strukturë mund të mbledhi nga qytetarët nuk jep asnjë garanci se si mund të përdoren, duke cënuar të drejtat e qytetarëve dhe duke mos garantuar mbrojtjen e sigurisë së tyre.

3.Ndërtimi i një rrjeti të tillë nuk garanton paanshmërinë e atyre individëve që do bëhen pjesë e saj, në të cilën mund të militojnë individë që janë të lidhur me partinë në pushtet dhe ndaj të cilës mund të shërbejnë me funksionet që do ushtrojnë në strukturën e ashtuquajtur vullnetare.

4.Individët që do bëhen pjesë e kësaj strukture nuk kanë trajnimin e duhur profesional, duke mos përmbushur kriteret e ushtrimit të profesionit të punonjësit të Policisë, gjë që bie ndesh me ligjet e Policisë së Shtetit, ku punonjësit trajnohen dhe kalojnë faza të ndryshme përgatitore.

5.Ushtrimi i kompentencave dhe njehsimi si punonjës Policie e dobëson figurën e punonjësit të Policisë së Shtetit, ku mund të ketë përplasje apo mbivendosje kompentecash dhe kësisoj mos garantimin e sigurisë në vend.

Grupime të tilla janë milici të mirëfillta, të cilat koha dhe historia na dëshmojnë se kanë qenë në shërbim të pushteteve autoritare. Këtë model e gjejm në diktaturën e Maduros në Venezuelë, ku individë të lidhur me pushtetin militojnë në radhët e Policisë dhe janë nën shërbimin e plotë të qeverisë duke çimentuar kontrollin absolut të diktatorit mbi qytetarët e tij.

Në nostalgjinë që ka për diktaturën enveriste, km Rama nëpërmjet akteve të tilla po ngjall rrjetin e ndyrë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit (Kriminal) të Shtetit dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve vullnetarë AGBV.

Ky vendim është një këmbanë alarmi për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri.PD,opozita duhet t’a kundërshtojë me të gjithat format. Siguria e qytetarëve është në rrezik, sepse kjo qeveri nëpërmjet vendimeve të këtij lloji synon fuqizimin absolut të saj, nëpërmjet shtypjes, intimidimit, represionit dhe survejimit të qytetarëve shqiptar.

Qytetarët shqiptar nuk po qeverisen nga një qeveri e përgjegjshme dhe e mbështetur në transparencë dhe llogaridhënie, por sot shqiptarët po drejtohen nga një bandë e mirëfilltë e sektit Rama, e cila nisi me përdhosjen e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe të drejtës së tyre për të zgjedhur të lirë, dhe po vazhdon me konsolidimin arbitrar e antidemokratik të mekanizmave të cënimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

About Redaksia

Check Also

Përçarja PS-PSD? Lojë politike sa për fushatë…

Nga Eliona Kodra SHKRELI Ja pra dhe e vërteta e madhe…. Gjatë fushatës elektorale, në …