Zhulali: Misioni faktmbledhës i PPE i hap rrugën qeverisë teknike!

Drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, tha se, dërgimi i një misioni faktmbledhës nga Partia Popullore Evropiane (EPP) në Shqipëri vjen si pasojë e një shqetësimi real që kjo familje politike ka për procesin zgjedhor në vend.

Sipas saj, ky vendim merret vetëm kur ekzistojnë fakte që i kanë çuar anëtarët e EPP-së drejt bindjes se zgjedhjet në Shqipëri jo vetëm që janë vjedhur, por përmasat e manipulimit janë aq të mëdha saqë nuk mund të heshtet më.

Zhulali theksoi në një intervistë për Syri TV se, pas këtij misioni faktmbledhës do të vijnë edhe disa kushtezime të forta politike për qeverisjen Edi Ramës, duke e çuar situatën në një fazë të re. Ajo përmendi se Shqipëria e ka kërkuar disa herë ardhjen e misioneve të tilla, por deri më tani kjo nuk është realizuar.

Ajo tha se, me një raport të tillë, Shqipëria shkon në një fazë tjetër, kështu që Rama do ta ketë edhe më të vështirë.

“Vendimi për të bërë një vizitë te disa vëzhguesve ose personaliteteve që do të vijnë në një mision faktmbledhës në Shqipëri, merret vetëm pasi EPP ka një shqetësim real dhe ka fakte të cilat i kanë çuar anëtarët e EPP në pothuajse bindjen që jo vetëm në Shqipëri janë vjedhur zgjedhjet, por përmasa e vjedhjes ka arritur në pikën që nuk mund të heshtet më.

Dhe e dyta, në momentin që zhvillohet ky mision faktmbledhës në Shqipëri, do të thotë se pas tij do të jenë disa kushtëzime të forta politike për qeverisjen e Edi Ramës.

Shqipëria e ka kërkuar disa herë që në Shqipëri të vijnë misione faktmbledhëse, deri tani nuk është realizuar kjo gjë.

U thye akulli me Partinë Konservatore Britanike e cila qe e para që solli një mision faktmbledhës përpara disa muajsh në Shqipëri dhe mori disa gjetje të cilat ata thanë se ishin befasuese dhe tronditëse që ata nuk i kishin ditur më parë.

Mirëpo të vijnë nga EPP, do të thotë që aty ka një problem që është evidentuar, është pranuar si i tillë por nuk do të lihet në heshtje.

Një procedurë e ngjashme është ndjekur në rastin e Maqedonisë së Veriut. Kur pati probleme me zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, hapi i parë që u ndërmor nga EPP ishte një mision faktmbledhës atje, pastaj u bënë edhe disa raporte dhe aty pas raporteve u mor vendimi që duhej vendosur një qeveri teknike, dhe ajo qeveri teknike qëndroi në detyrë jo vetëm 3 muaj siç u tha në fillim por u shtynë 3 herë zgjedhjet, shkoi gati një vit e gjysmë, dy, derisa të krijoheshin kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kjo që shikoj unë, është diçka e ngjashme me atë që ka ndodhur në Maqedoni sepse kjo ishte ajo që i parapriu qeverisë teknike.

Gjithashtu nga raporti i ODIHR po të shikojmë, ka një pothuajse ngjashmëri 80% me raportin paraprak të ODIHR që u prodhua në Serbi pas zgjedhjeve.
Thashë 80% sepse ne e kemi 20% edhe më të rëndë, edhe me shumë shkelje se Serbia, që përfshijnë edhe të gjitha shkeljet që kanë ndodhur edhe në gjithë procesin e votës së diasporës, që Serbia nuk e ka pasur.

Mirëpo sot Serbia kategorizohet si një sistem autokracie elektorale, zyrtarisht.

Pra pranohet fakti që atje zgjedhjet bëhen sa për fasadë dhe është shtuar presioni ndaj Vuçiç për të shkuar në zgjedhje normale.

Me një raport të tillë, Shqipëria shkon në një fazë tjetër, kështu që Rama do ta ketë edhe më të vështirë”, tha Zhulali.

About Redaksia

Check Also

Ministri tjetër i Ramës drejt burgut, si i kalonte paratë e taksapaguesve tek restoranti i gruas

Ish-nënkryetari i bashkisë Tiranë, aktualisht Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, është zyrtari …