Nga Luçiano BOÇI
Nga të gjitha figurat që ka prodhuar tranzicioni politik shqiptar, ndoshta asnjë nuk e mishëron më mirë kontrastin midis fasadës dhe realitetit sesa Kryetarja aktuale e Kuvendit.
E vendosur në krye të një institucioni që supozohet të përfaqësojë pluralizmin dhe debatin demokratik, ajo ka zgjedhur një tjetër rol: atë të Dylqinës së “Tobozës”(parlamentit), një figurë imagjinare që ekziston vetëm për të frymëzuar Don Kishotin
Rama në luftën e tij kundër armiqve në mendjen e tij të sëmurë që ai i quan “perëndim”, “opozitë”, “vëzhgim”, dhe “llogaridhënie”.
Në vend të qetësisë institucionale dhe qëndrimit të matur që i takon një Kryeparlamentareje në kohë tensioni zgjedhor, znj. Spiropali ka zgjedhur teatrin.
Me një lehtësi përçmuese, ajo ironizon dhe godet vendimin e Parlamentit Europian për të thënë të vërtetën për zgjedhjet në Shqipëri dhe për të dërguar një mision faktmbledhës në Shqipëri, si të ishte fjala për një trup cirku, e jo për një përpjekje serioze për të parë nga afër se si zhvillohen zgjedhjet në një vend që pretendon të jetë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kjo është ajo që ndodh kur politika shndërrohet në aventurë kriminalo-romantike mes imagjinatës dhe autokracisë: Rama lufton përballë “armiqve” të padukshëm, ndërsa Spiropali – me gjuhë banale – i jep kuptim kësaj lufte, si një Dylqinë që nuk ekziston, përveçse në mendjen e kalorësit-bandit të Rilindjes.
Por ndërsa ajo shfaqet me sigurinë e zakonshme të dikujt që ka të drejtën e interpretimit të realitetit, Parlamenti Europian flet troç: krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri.
Pikë.
Nuk ka më vend për interpretim artistik alladylqinë.
Kur një institucion europian ngre alarmin për deformim të thellë të zgjedhjeve përmes krimit dhe aseteve shtetërore, qeshjet e ironite bajate të Spiropalit tingëllojnë si e qeshura dhe ironia nervoze e dikujt që e di shumë mirë çfarë po fsheh.
Në një vend ku qeveria përdor çdo mjet shtetëror – nga policia, tek ndihma ekonomike, deri te listat e patronazhistëve – për të kontrolluar rezultatin zgjedhor, misionet ndërkombëtare nuk janë “shfaqje”.
Janë të vetmet pasqyra ku mund të shihet e vërteta e një sistemi që ka frikë nga vota e lirë, po aq sa nga kritika publike.
E megjithatë, Spiropali sërish këndon nga ballkoni i Dylqinës, duke thirrur në ajër klishe evropianiste, ndërkohë që qytetarët shqiptarë e dinë mirë se kush i ka kthyer zgjedhjet në një proces farsë, dhe kush mban peng shtetin përmes një simbioze të frikshme me krimin dhe politikën.
Ajo nuk flet më si një figurë institucionale, por si personazh qesharak i një romani fatkeq realist që Rama po e shkruan e zbaton në kokën e vet, ku ai është gang-kalorësi, ajo është muza, dhe të gjithë të tjerët – qytetarët, opozita, ndërkombëtarët – janë pengesa për t’u shpërfillur.
Historia kujton mirë se edhe Dylqinja e Tobozës ishte një trill.
Por kjo nuk e bëri më të vërtetë dashurinë e Don Kishotit.
Dhe në fund, realiteti i hidhur gjithmonë fiton mbi imagjinatën dylqiniste – edhe në Shqipëri.