Deputetja e PD, Elda Hoti kërkoi transparencë dhe ndërprerje të projektit që po fshin gjurmët e masakrës së komunizmit në burgun e Spaçit.
Nga foltorja e Kuvendit, Hoti tha se në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Lezhës qytetarët e panë që përballë kishin të gjithë shtetin dhe bandat që kjo parti krimi u ka dhënë pushtet e kontroll në gjithçka. Një replikë kishte dhe me kryetaren e kuvendit Elisa Spiropali, e cila ‘si noterja’ e qeverisë po shkel Kushtetutën duke u përpjekur t’u mbyllë gojën demokratëve.
“Je bërë noterja e regjimit (I drejtohet Spiropalit) që shkel kushtetutën. Një sjellje që nuk i ka hije kryetares së Kuvendit. Shijo dhe pak ditë arrogancën që drejton kuvendin se nga shtatori do të gëzosh arrogancën e Belindës mbi ty.
Një krim ndaj kujtesës sonë historike, së vërtetës, vikimave të një regjimi që i torturoi dhe i vrau se thjesht mendonin ndryshe. Po flas për restaurimin që bëni ju pasardhësit e etërve në burgun e Spaçit. Ju po bëni masakrën e dytë të viktimave të komunizmit. Spaç është dëshmi e gjallë e viktimës së diktaturës komuniste. Kërkoj transparencë të plotë mbi këtë projekt dhe ndërprerje të çdo ndërhyrjeje që rrezikon të tjetërsojë kujtesën historike në burgun e Spaç. E kuptoj që për ju është absurde të flasësh për ligje pas farsës së 11 majit.
11maji ishte një makineri e tërë e pushtetit që funksioni për të grabitur votën. Në qarkun e Lezhës qytetarët e panë që përballë kishin të gjithë shtetin dhe bandat që kjo parti krimi u ka dhënë pushtet e kontroll në gjithçka. U përdor fatkeqësia e tërmetit si mjet presioni. Shtëpitë e shembura, dhimbja e familjave të dëmtuara u kthye në monedha për vota. Ky është shtet i kalbur dhe kjo nuk është demokraci por dhunë e strukturuar.
Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën dhe farsën elektorale do e cojë kudo në cdo derë dhe ne jemi këtu për të qëndruar”, tha Hoti..
Në qendër të debatit është rikonstruksioni i një godine brenda kampit të Spaçit, dikur dhomë vizitash, e cila sot është mbuluar me të bardhën e suvasë dhe bojës, një pamje që bie në kontrast të thellë me strukturat e rrënuara prej tullave gri që mbartin dhimbjen e dekadave të burgimeve politike.
Kjo ndërhyrje është bërë për xhirimet e filmit “Revoltë në ferr” të regjisorit Namik Ajazi, me mbështetje nga qeveria shqiptare dhe një studio italiane produksioni.
Ndërkohë pas presionit të vazhdueshëm qytetar dhe ndërhyrjes së Bashkisë Mirditë, punimet në kamp janë pezulluar, ngase janë verifikuar dëme të konsiderueshme.
Mungesa e dëgjesave publike, mospërfshirja e ish-të përndjekurve dhe shkelja e Planit të Menaxhimit të Spaçit e kanë kthyer këtë proces në një shembull të papërgjegjshmërisë institucionale dhe tjetërësimit të kujtesës historike. Heshtja e institucioneve nuk e zhduk zhurmën që vjen nga Spaçi, një vend që nuk kërkon rikonstruksione, por kujtesë.