Biletat e Shqipëri-Serbi shiten deri në 1 mijë euro!

Çmimi i një bilete për të parë ndeshjen Shqipëri – Serbi, që luhet sonte, në Tiranë po shkon nga nga 400 deri në 1000 euro. Janë 11 euro për çdo minutë të ndeshjes që do të luhet në Arenën Kombëtare.

Dhe kjo është një çmenduri. Ndoshta jo “çunat e Londrës” drejtorët e korruptuar të administratës apo “çunat e call center-ave” që bredhin në makina luksoze pasi u kanë vjedhur paratë qytetarëve të Europës. Por për një familje normale shqiptare, kjo është e papranueshme. Jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe morale. Sepse nuk bëhet më fjalë për një spektakël futbolli, por për një spektakël shfrytëzimi.

Shqiptarët nuk do të shkojnë sonte në stadium vetëm për 90 minuta lojë. Ata do të jenë aty për krenari, për simbolikë, për historinë që lidhet me këto dy fanella. Do të jenë në stadium sepse ndihen pjesë e kombëtares, pjesë e Shqipërisë për ta mbeshtetur atë kundër kombëtares së një vendi që shqiptarët i ka bërë historikisht të vuajnë. Dhe kjo ndjenjë, ky pasion, ky patriotizëm, sonte po tregtohen. Po shiten. Po keqpërdoren.

Nuk është aspak normale që në një vend ku paga mesatare është më e ulët se çmimi i një bilete, ndjenja kombëtare të shndërrohet në mall për përfitim. Kush i cakton këto çmime? Kush vendos që dashuria për Shqipërinë duhet të ketë një faturë kaq të lartë? Kush e vendos që hyrja në stadium duhet të jetë privilegj për të pasurit dhe jo për ata që e duan me gjithë zemër kombëtaren kuqezi?

Ky është një përfitim i pastër mbi patriotizmin, ku emocionet përdoren si karburant për zyrtarë të shndërruar në tregtarë, që mendojnë se mund të blejnë gjithçka, përfshirë edhe dinjitetin.

Kombëtarja i ka bashkuar shqiptarët anembanë botës. Nga SHBA, Kanada, Amerika Latine, Azia, Afrika e çdo vend i Europës ata u bashkuan në çdo stadium ku kombëtarja luajti në Europianin e Gjermanisë.

Por kur një biletë shitet me 1000 euro në stadiumin e Tiranës, nuk është më kombëtarja që na bashkon. Ky është pazari i ndërtuar mbi patriotizmin që na ndan.

Sepse sot dikush po mbush xhepat duke luajtur me flamurin dhe dashurinë për ngjyrat e tij.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha thirrje qytetarëve: Ndiqni rrjetet sociale, Rama ka urdhëruar mediat e tij të censurojnë faktet për farsën elektorale

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se Edi Rama ka urdhëruar mediat që kontrollon …