Administrata Trump ka urdhëruar mbylljen e të gjitha pozicioneve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) jashtë vendit deri më 30 shtator, duke zhvendosur kontrollin e programeve të ndihmës së huaj drejt Departamentit të Shtetit.
Sipas një kabllogrami zyrtar të Departamentit të Shtetit, të siguruar nga ‘The Guardian’, sekretari i shtetit Marco Rubio ka urdhëruar shuarjen e plotë të stafit ndërkombëtar të USAID, ndërsa përgjegjësia për programet e ndihmës së jashtme do të kalojë nën kontrollin direkt të Departamentit të Shtetit.
Ky vendim prek mijëra punonjës të USAID në mbarë botën, përfshirë diplomatët e shërbimit të jashtëm, kontraktorët dhe stafin e punësuar vendas në më shumë se 100 shtete.
Ambasadorët amerikanë janë udhëzuar të përgatiten për ndryshimet që do të hyjnë në fuqi brenda katër muajve.
Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar mbi këtë zhvillim, por sipar The Guardian Vendimi është firmosur edhe nga Howard Van Vranken, ish-ambasador në Botsvana.
Ky hap vjen pas një pastrim drastik që ndodhi në gjashtë javët e para të presidencës Trump, gjatë të cilit administrata, përmes iniciativës së quajtur ‘Efikasiteti i Qeverisë’ (Doge), eliminoi 83% të programeve të USAID.
Në mars, Rubio njoftoi se nga 6,200 programet e agjencisë në mbarë botën, 5,200 ishin mbyllur, ndërsa programet e mbetura do të kalonin nën administrimin e Departamentit të Shtetit.
Mbylljet pasuan një urdhër ekzekutiv të firmosur nga Trump në ditën e parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar, që pezullonte përkohësisht të gjitha fondet e ndihmës së jashtme deri në një rishikim të plotë.
Megjithëse një përjashtim u dha më vonë për ndihmat humanitare, dyshime mbi të ardhmen e USAID u ngritën pasi faqja zyrtare e saj u zhduk më 1 shkurt.
Dy ditë më vonë, stafi mori një email ku u thuhej të mos paraqiteshin në punë, pasi gjatë fundjavës serverët ishin çmontuar dhe drejtuesit kryesorë ishin pushuar ose pezulluar.
Rubio e shpalli veten administrator të përkohshëm të agjencisë, pasi stafi u bllokua nga hyrja në selinë e saj në Uashington./The Guardian