Nga Elona CASLLI
Treni bullgar ka qenë i domosdoshëm më shumë se kurrë për zgjedhjet e vitit 2025 në Shqipëri sepse Partia Shtet e Rilindjes, ka parashikuar revoltën e administratës përmes votës. Nuk duhet harruar fakti se jo çdo punonjës administrate është i përzier në histori tenderash apo përfitime sistematike të pandershme financiare.
Një pjesë e tyre janë në nivel specialisti që marrin rrogën në fund të muajit, por janë dëshmitarë sistematikë të abuzimeve që bëjnë eprorët e tyre në nivel drejtori e më lart dhe kishte shumë gjasa që revoltën e tij të heshtur një nënpunës administrate ta shprehte përmes votës.
Për të parandaluar këtë revoltë të heshtur të një nënpunësi të thjeshtë administrate, u përdor gjerësisht treni bullgar ku pamë me zë dhe figurë patronazhistë të mbulonin fytyrën me kapuç e t’ia mbathnin me të katra nga zyrat e fshehta të patronazhimit në kërthizë të Tiranës.
Për çfarë kanë shërbyer zyrat e fshehta të patronazhimit?! Kanë shërbyer që votuesit të dorëzonin fletën e votimit bosh, pasi kishin hedhur në kuti fletën e votimit të plotësuar nga patronazhisti përkatës. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të kontrolluar revoltën e mundshme të nënpunësve të administratës.
Ky nuk mund të jetë kurrsesi vullnet i natyrshëm i një populli dhe për ta përforcuar këtë ide mjafton të kujtojmë një fakt: “Mandati 2005- 2009 konsiderohet nga të gjithë si mandati më i mirë qeverisës pas viteve 90. Në 2009 Partia Demokratike nuk arriti t’i bënte numrat për të qeverisur e vetme dhe iu desh të bënte koalicion me LSI-në për të qeverisur. Pra, ndonëse me një qeverisje të mirë, përsëri nuk arriti ta rikonfirmonte veten në një mandat të dytë sepse nuk mund të vish në rritje nga mandati në mandat sado të jesh përpjekur në një realitet ku votuesi zgjedh lirshëm.
Në 2025 pas 3 mandatesh të plota dështimi rilindase, kemi një mandat të katërt. Ky mandat mund të jetë gjithçka veçse proces i natyrshëm nuk është. Është një realitet artificial të cilin propaganda rilindase po përpiqet me të gjitha mënyrat dhe mjetet të na e servirë si proces të natyrshēm.
Të jesh titullar i një institucioni me 50 punonjës dhe pas mandatit të parë, një pjesë e punonjësve do të kenë një pakënaqësi për të shprehur sepse nga një proces drejtimi nuk mund të mbeten të gjithë të kënaqur dhe ky është realitet i natyrshëm.
Imagjinoni të jesh kryeministër dhe të qeverisësh një popull sa i besueshëm është një mandat i katërt, kur pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve të kryeministrit është në burg, një zv.kryeministër në arrati dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve në emigracion për shkak të qeverisjes rilindase.
Në asnjë vend demokratik nuk aplikohet formula: “Sa më shumë skandale të ketë qeveria, aq mē shumë i shtohet mbështetja në popull.”
Post Scriptum- Formula “Skandalet e qeverisë shtojnë mbështetjen e popullit” zbatohet vetëm në autokracitë moderne ku ti ke vetëm një të drejtë: “Të bindesh”.