Eduart HALIMI
Arlind AHMETAJ
Hijet e kapitalit në Kullat gjigande të Tiranës: Bankat në sfidën për mbrojtjen e kredive. Përballja e heshtur me SPAK dhe rëndësia e parimit Bona Fide! Një analizë mbi përplasjen midis së drejtës reale, interesit penal publik dhe sigurisë juridike në tregun shqiptar të ndërtimit.
Hyrje
Në Tiranë, ndërtimi i kullave të reja po transformon rrënjësisht pamjen e qytetit. Ndryshe nga simotrat e saj në Maqedoni apo Mal të Zi, ku vala e ndërtimeve të nisura një dekadë më parë ka ngecur dhe shihen struktura të braktisura me skela të ndryshkura e pemë të mbira ndër to, Tirana po përjeton një bum ndërtimor intensiv, me betoniere që lëvizin 24/7 – një ritëm që rrallë shihet edhe në qytete më të zhvilluara evropiane si Milano dhe Londër!
Kur një mik/klient na rrëfeu pak kohë më parë se autoritetet nuk po i pranonin një projekt 20-katësh në qendër të Tiranës sepse kërkohej nga KM të ishte minimalisht 30 kate, shfaqëm skepticizëm. Por, kur në një aktivitet të fundit dëgjuam një nga arkitektët më të njohur evropianë të deklaronte se Kryeministri po merrej personalisht jo vetëm me lartësinë, por edhe me dizajnin dhe ngjyrën e fasadës së çdo kulle, i dhamë të drejtë dhe klienti filloi të ndryshojë projektin. Por kjo ishte pjesa e thjeshtë. Ana e vështirë ishte sigurisht si për çdo investitor: Financimi, paratë për një projekt qe do rritej me 10 kate minimumi dhe 30% të vlerës.
Tirana është sot poli kryesor i zhvillimit ndërtimor në Shqipëri, dhe me shumë gjasë Vlora do të jetë i dyti në të ardhmen e afërt.
Por Tirana nuk është as Milano, as Monako, e as Dubai ku interesi në blerje ndaj strukturave ndërtimore është normal super i lartë. Shpërthimi i ndërtimeve në vlera dhjetëra milionë euro, ne Tiranë ka ngritur pyetjen qendrore lidhur me misterin numër 1: Nga buron financimi?
Një vit më parë, Shqipëria u hoq nga lista gri e Moneyval, njësoj si Emiratet e Bashkuara Arabe së fundmi. Por, përtej financimeve të ligjshme nga bankat, ekziston një shqetësim i thellë publik – i nxitur edhe nga të dhëna të dala nga përgjimet masive në platformat Sky ECC dhe EncroChat, pjesë e operacionit “Vanilla” – për përfshirjen e organizatave kriminale në skema pastrimi parash përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Kjo dhe përpjekjet deri diku pozitive dhe këmbëngulëse të prokurorisë e kanë bërë tregun e ndërtimit, treg me rrezik të lartë.
Shqetësimi publik pra rreth hijeve të kapitalit në kullat gjigande që po ngrihen e ka burimin se ndoshta ndodh përtej sistemit bankar. A mos kapitali buron në zinxhirë joformalësh që fillojnë nga “çunat” në Dubai, Antwerpen, Londër, Guayaquil e deri në qëndra të kontrollit të rrjeteve kriminale të përmendura në dosjet e Sky ECC dhe EncroChat ? A është reale apo një legjendë urbane? Kjo është një sfidë reale për shtetin por dhe një sfidë e drejtpërdrejtë për sistemin bankar – i cili përmes rregullave të “compliance”-it, ndershmërisë kontraktuale dhe barrave të regjistruara, po përpiqet të qëndrojë i mbrojtur në një treg ku qarkullojnë kapitalet më pak të mbrojtura juridikisht dhe më pak të kontrolluara financiarisht në gjithë rajonin.
Por sektori bankar nuk mund të rrijë jashtë këtij zhvillimi të fortë ekonomik. Ai ishte skeptik rreth financimit të PPP pak vite më parë dhe bëri shumë mirë, ndërsa për tregun e ndërtimit sektori bankar nuk mund të rrijë jashtë. Pikërisht në këtë terren kompleks, roli ynë si avokatë të bankave është të mbrojmë ligjshmërinë dhe sigurinë e financimeve, të ndihmojmë bankat në menaxhimin e riskut dhe në ruajtjen e besimit të publikut.
Në këshillimin tonë të përditshëm, ne u rekomandojmë bankave:
- Të ruajnë dhe përditësojnë vazhdimisht programet e pajtueshmërisë (compliance), pavarësisht ndryshimeve në treg;
- Të qëndrojnë pozitive dhe bashkëpunues me prokurorinë dhe të dokumentojnë qartë dëmet potenciale që mund të sjellë një hetim penal – qofshin këto dëme financiare apo të natyrës së reputacionit;
- Të tregojnë kujdes të shtuar në tregje me rrezik të lartë.
Është e rëndësishme të theksojmë për publikun e gjerë: bankat nuk “prodhojnë” para – ato menaxhojnë kursimet e qytetarëve të zakonshëm, të cilat i investojnë nëpërmjet kredidhënies, gjithmonë të mbështetura në garanci reale (kolateral). Megjithatë, edhe kur bankat kanë ndjekur të gjitha procedurat dhe kanë garantuar kredinë me pasuri të paluajtshme, ndodhin situata kur prona (kulla në ndërtim) bëhet objekt i sekuestrimit penal, për shkak të hetimeve për pastrim parash apo krim të organizuar.
Në këto raste, ndërkohë që garancia reale (hipoteka) supozohet të jetë një mekanizëm sigurie për bankën në shlyerjen e detyrimeve, ajo mund të bjerë pre e një konfiskimi penal, si pasuri e dyshuar që rrjedh nga aktivitet kriminal. Kjo përbën një kërcënim serioz për sigurinë juridike të financimeve bankare dhe kursimet e qytetareve.
Gjykatat shqiptare po përballen gjithnjë e më shpesh me këtë dilemë delikate: si të balancojnë të drejtën e ligjshme të bankave – si palë të treta në mirëbesim – me interesin publik për të luftuar pastrimin e parave dhe krimin e organizuar?
Ky artikull synon të analizojë këto zhvillime, duke ofruar zgjidhje të mundshme dhe mësime të nxjerra nga praktikat evropiane, dhe raste qe kemi ndjekur për të mbështetur bankat në misionin e tyre për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe ligjshmëri.