Nga Belind KELLIÇI
Për mua dhe shumëkënd në qytetin tonë, Arbeni ishte jo vetëm një mik dhe koleg i mirë, por ai ishte një veprimtar i palodhur dhe derë e hapur për secilin prej nesh!
Vepra dhe kujtimi më i mirë i tij, tashmë është rrënjosur thellë në traditën dhe organizimin e përvitshëm të “Sofrës së Tiranës”, aktivitet i cili mishëron më së miri vlerat qytetare dhe zakonet e komuniteti tonë të shkëlqyer.
Falenderoj nga zemra fondacionin “Arben Tafaj” për këtë organizim të jashtëzakonshëm dhe nderim që i bëri familjes time.
Dy fjalë në fund edhe për krenarinë e familjes sonë, Masar Këlliçin:
Pas përfundimit të studimeve në financë në Stamboll, ai mbajti lidhje të ngushta me patriotët shqiptarë dhe ishte mik i afërt i familjes Toptani. U përfshi në lëvizjen atdhetare të udhëhequr nga Sermedin Toptani, i cili shpërndante fshehurazi libra në gjuhën shqipe brenda territorit shqiptar.
Pas shkollimit, Masari dhe i vëllai, Mytesim Këlliçi, u vendosën për një periudhë të shkurtër në qytetin e Bursës, në Turqi. Por ideali për çlirimin e vendit e riktheu shpejt në atdhe, ku iu bashkua Lëvizjes për Pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1920, Masar Këlliçi u zgjodh Financieri i Komunitetit Musliman për Tiranën, ndërsa në vitin 1921 u zgjodh Deputet në Parlamentin e Parë Shqiptar.
Së bashku me të vëllain, Mytesim Këlliçi, Myfti i Tiranës, Senator në Kongresin e Lushnjës dhe bashkë themelues i “Strehës Vorfnore” sot Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, ishin ndër nismëtarët kryesorë të këtij Kongresi historik.
Masar Këlliçi ishte një besimtar i palëkundur në idenë e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. Gjatë gjithë jetës së tij, ai punoi dhe luftoi me përkushtim për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Në fotot bashkëlidhur:
*Foto e Masar Këlliçit si Deputet i Tiranës dhe Durrësit në Parlamentin e parë shqiptar në 1921.
*Foto e Parlamentit të parë shqiptar, prill 1921.
*Foto me Arben Tafajin në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shoqatën Tirana në zgjedhjet lokale të vitit 2023.